U përfol për pozitën e presidentit, Ramajli: S’jam kontaktuar nga askush, por s’e pranoj edhe nëse më ofrohet

Ditën e djeshme në mediat e vendit u raportua se një nga emrat që po diskutohet mes Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës si emër potencial për presidentin e ardhshëm të vendit është edhe ai i Ilaz Ramajlit.

Ramajli tha se ai nuk ka pranuar asnjë ftesë nga partitë, porse, edhe nëse i ofrohet një pozitë e tillë, ai nuk do ta pranojë.

“Edhe unë e kam nëpër gazeta, mua nuk më ka thirr kurrkush. Mirëpo edhe po të ndodhte ajo, unë e konsideroj pozitën e presidentit në këtë situatë shumë të rëndësishme, dhe unë për shkak të moshës, nuk jam në gjendje që të pranoj një detyrë të tillë edhe po të më ofrohej. Do të thotë nuk më ka kontaktuar kurrkush, unë veç nëpër media, por edhe po të ndodhte ajo, unë s’jam i gatshëm të pranoj një detyrë të tillë për shkak të moshës. Unë edhe ashtu para dy viteve edhe aktivitet në profesion tim i kam përfunduar dhe tash jam pensionist’’, tha Ramajli.

Ramajli, avokat me profesion, është ndër figurat më të njohura politike të viteve ’90, ku ka qenë edhe një ndër nënshkruesit e Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut të vitit 1990. /express