Bie tregtia me pakicë në Kosovë, qarkullimi u ul për 6,19% në qershor
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar të dhënat për Statistikat Afatshkurtra të Tregtisë me Pakicë për muajin qershor 2026, sipas të cilave aktiviteti i tregtisë me pakicë ka shënuar rënie krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar.
Sipas ASK-së, indeksi i qarkullimit në tregtinë me pakicë, pa përfshirë tregtinë e automjeteve dhe motoçikletave, ka rënë për 6,19 për qind në qershor 2026, krahasuar me qershorin e vitit 2025.
Rënia më e madhe e qarkullimit është regjistruar në tregtinë me pakicë në dyqane jo të specializuara, me 20,33 për qind.
Ndërkohë, rritje të qarkullimit janë regjistruar në disa sektorë. Tregtia me pakicë e produkteve ushqimore, pijeve dhe duhanit në dyqane të specializuara u rrit për 21,42 për qind, ndërsa tregtia përmes postës ose internetit dhe tregtia jashtë dyqaneve, tezgave ose tregjeve shënoi rritje prej 14,91 për qind.
Rritje u regjistrua edhe në tregtinë e mallrave kulturore dhe të argëtimit, me 4,89 për qind, si dhe në tregtinë e mallrave të tjera në dyqane të specializuara, me 4,43 për qind.
Të dhënat e ASK-së tregojnë se në qershor ka rënë edhe numri i të punësuarve në sektorin e tregtisë me pakicë.
Indeksi i numrit të të punësuarve ka rënë për 6,79 për qind, krahasuar me qershorin e vitit 2025, transmeton Zeri.info.
Rënia më e theksuar është regjistruar në tregtinë me pakicë të karburantit për automjete, ku numri i të punësuarve është ulur për 24.45 për qind. Në dyqanet jo të specializuara rënia ishte 20,19 për qind, ndërsa në tregtinë e mallrave kulturore dhe të argëtimit 4,12 për qind.
Në anën tjetër, numri i të punësuarve është rritur me 10,90 për qind në tregtinë e produkteve ushqimore, pijeve dhe duhanit, me 6,72 për qind në tregtinë e pajisjeve të tjera shtëpiake dhe me 5,41 për qind në tregtinë e pajisjeve informatike dhe të komunikimit.
Pavarësisht rënies së qarkullimit dhe numrit të të punësuarve, fondi i pagave dhe mëditjeve në tregtinë me pakicë është rritur për 3,52 për qind në qershor 2026, krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar.
Rritja më e madhe e fondit të pagave është shënuar në tregtinë e produkteve ushqimore, pijeve dhe duhanit, me 31,91 për qind, pasuar nga tregtia e pajisjeve të tjera shtëpiake me 24,24 për qind dhe pajisjeve informatike e të komunikimit me 17,10 për qind.
Në tregtinë e karburanteve, fondi i pagave ka rënë për 15,94 për qind, ndërsa në dyqanet jo të specializuara për 14,69 për qind.
Të dhënat janë publikuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) më 18 gusht 2026. /Zëri