Murati: Buxheti për komunat në vitin 2027 do të kalojë 900 milionë euro

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka njoftuar se buxheti i ndarë për komunat e Kosovës në vitin 2027 pritet të arrijë në 907 milionë euro.

Murati ka bërë të ditur se Ministria e Financave javën e kaluar ka lëshuar qarkoren e dytë buxhetore për komunat, përmes së cilës përcaktohen kufijtë buxhetorë për secilën komunë.

Sipas tij, rritja e buxhetit komunal është mundësuar nga rritja e të hyrave buxhetore gjatë viteve të fundit.

“Falë performancës së jashtëzakonshme të të hyrave buxhetore përgjatë viteve të fundit, është krijuar hapësira fiskale për rritje të vazhdueshme të buxhetit që u ndahet komunave”, ka shkruar Murati.

Ai ka krahasuar buxhetin e paraparë për vitin 2027 me atë të vitit 2021, duke theksuar se nga 546 milionë euro, sa ishte atëherë, fondet për komunat do të rriten në 907 milionë. /Zëri