Green Fest në Mitrovicë, edicioni i 16-të me temën “Reflekto”
Mitrovica për pesë ditë është kthyer në një hapësirë ku arti, muzika, filmi, natyra dhe komuniteti bashkohen për të diskutuar dhe imagjinuar një të ardhme më të qëndrueshme.
Në edicionin e 16-të, Green Fest këtë vit vjen me temën “Reflekto”, si një ftesë për të ndalur ritmin e përditshmërisë dhe për të reflektuar mbi raportin e shoqërisë me mjedisin dhe ndryshimet që po ndodhin me shpejtësi.
Në hapjen e festivalit, ushtruesja e detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, tha se Mitrovica, përveçse qytet i minatorëve, ka qenë ndër vite edhe pikëtakim i punës, dijes, kulturës dhe muzikës.
“Këtë traditë po e vazhdon edhe Green Fest, i cili prej gjashtëmbëdhjetë vjetësh i bën bashkë muzikën, artin, të rinjtë dhe bisedën për mjedisin dhe qytetin”, u shpreh Haxhiu.
Në një kohë të karakterizuar nga kriza klimatike, humbja e habitateve natyrore dhe transformimet e shpejta mjedisore, organizatorët synojnë që përmes festivalit të kontribuojnë në ngritjen e vetëdijes për këto çështje, nxitjen e dialogut dhe frymëzimin e qytetarëve për ndryshime pozitive.
Drejtori i festivalit, Lulzim Hoti, tha se roli i artit nuk është domosdoshmërisht të japë përgjigje për çdo problem, por të nxisë pyetje dhe reflektim.
“Nuk presim që arti t’i japë të gjitha përgjigjet, ndoshta është më e rëndësishme që ai të vazhdojë të na bëjë pyetje, dhe prej aty fillon ndryshimi”, tha Hoti.
Programi i edicionit të 16-të përfshin filma, ekspozita, diskutime “Green Talks”, aktivitete artistike për fëmijë, vizita në Trepçë dhe mbrëmje muzikore.
Në festival do të performojnë artistë të njohur, ndër ta Alban Skënderaj, Dren Abazi, BB Poqi, NR, Shkodra Elektronike dhe Lore.
Në kuadër të Green Fest është hapur edhe një ekspozitë kolektive, ku artistët pjesëmarrës prezantojnë vepra që trajtojnë marrëdhëniet mes njeriut, natyrës dhe biodiversitetit.
Kuratori i ekspozitës, Halil Xhafa, tha se secili artist përmes veprës së tij përcjell mesazhe për mbrojtjen e natyrës dhe pasojat e neglizhencës ndaj saj.
“Secili artist në mënyrën e vet sjell mesazhe për mbrojtjen e natyrës dhe rrezikun që vjen nga neglizhenca ndaj saj. Çdo veprim, sado i vogël të duket, mund të lërë gjurmë”, tha Xhafa.
Përmes programit kulturor dhe artistik, Green Fest synon të nxisë publikun të reflektojë mbi zgjedhjet e përditshme dhe ndikimin e tyre në mjedis, duke përcjellë mesazhin se ndryshimi mund të nisë edhe nga veprimet individuale.
Festivali Green Fest po mbahet në Mitrovicë për të 16-in vit me radhë. /rtk