Reagon ashpër zëdhënësi i Aleancës pas ofendimit ndaj Gjinit: Ishte ushtar i UÇK-së
Zëdhënësi i Aleancës, Kushtrim Xhemaili, ka reaguar pas një ofendimi të rëndë drejtuar ish-ushtarit të UÇK-së, Ardian Gjini, lidhur me refuzimin e tij për të marrë pjesë në një takim me Albulena Haxhiun.
Xhemaili e ka cilësuar si të rrezikshme dhe të papranueshme gjuhën e përdorur ditët e fundit, duke akuzuar kundërshtarët politikë për nxitje të përçarjes.
“Turp dhe marre për këtë gjuhë vëllavrasëse që po mbillet qëllimisht ditët e fundit!”, ka shkruar Xhemaili në Facebook.
Ai ka përmendur edhe thirrjet për pushkatimin e Ramush Haradinajt dhe sulmet ndaj Time Kadrijajt, duke thënë se tani po tentohet të njolloset edhe figura e Ardian Gjinit.
“Kush jeni ju që etiketoni si tradhtar një njeri që ka kapur armën për lirinë e Kosovës?”, ka deklaruar Xhemaili, duke rikujtuar se Gjini ka qenë pjesëtar i UÇK-së bashkë me vëllain e tij.
Sipas zëdhënësit të Aleancës, sulmet ndaj familjeve të dëshmorëve dhe komandantëve të luftës për shkak të qëndrimeve të tyre politike janë “të rrezikshme dhe thjesht të neveritshme”.