Dehari: Ka deputetë opozitarë që duan incidente fizike në vend të një marrëveshjeje për konstituimin e Kuvendit
Kryesuesi i seancës konstituive të Kuvendit, Avni Dehari, ka bërë thirrje për arritjen e një marrëveshjeje politike mes partive për përmbylljen e procesit të konstituimit të institucioneve.
Përmes një reagimi në Facebook, Dehari ka akuzuar disa deputetë të opozitës se nuk duan marrëveshje politike dhe se, sipas tij, synojnë tensionimin e situatës në seancën konstituive.
“Ka jo pak deputetë opozitarë që nuk duan kurrfarë marrëveshjeje politike për konstituim të institucioneve dhe që duan incidente fizike në seancën konstituive”, shkroi Dehari, transmeton Zeri.info.
Ai ka paralajmëruar se mungesa e një marrëveshjeje politike mund ta çojë vendin drejt zgjedhjeve të reja.
“Pa marrëveshje politike pashmangshëm shkojmë në zgjedhje të reja, të përsëritura, të panevojshme, të dëmshme”, deklaroi ai.
Dehari ka thënë se marrëveshja politike është e domosdoshme për tejkalimin e situatës së krijuar dhe se një zgjidhje të tillë, sipas tij, e kërkojnë edhe Kushtetuta dhe Gjykata Kushtetuese.
“Duhet të arrihet marrëveshja politike. Këtë e kërkon Kushtetuta e Republikës dhe Gjykata Kushtetuese, këtë e pret populli i Kosovës dhe e ardhmja jonë”, shkroi Dehari. /Zëri