Aksidenti në Korenicë, Spitali i Gjakovës jep detaje: 5 pacientë në trajtim, 4 lirohen në shtëpi

Spitali i Përgjithshëm “Isa Grezda” në Gjakovë ka dhënë detaje lidhur me gjendjen e të lënduarve nga aksidenti i komunikacionit që ndodhi në fshatin Korenicë të Gjakovës.

Sipas njoftimit të spitalit në Facebook, rreth orës 14:00 në Shërbimin Emergjent janë pranuar nëntë pacientë të lënduar si pasojë e aksidentit, në të cilin janë përfshirë dy automjete.

Pas pranimit, pacientëve u janë kryer të gjitha ekzaminimet dhe shërbimet e nevojshme mjekësore, përfshirë ekzaminimet imazherike (RTG dhe CT), analizat laboratorike, si dhe konsultimet me specialistët përkatës.

Spitali ka bërë të ditur se gjendja e të gjithë pacientëve është stabile.

Pas trajtimit mjekësor, pesë pacientë janë pranuar për trajtim spitalor, ndërsa katër të tjerë janë liruar për trajtim në shtëpi, përcjell Klankosova.tv.

“Të gjithë pacientëve u është ofruar trajtimi i nevojshëm mjekësor në përputhje me gjendjen e tyre klinike. Apelojmë te të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion që të respektojnë rregullat e trafikut dhe të vozisin me kujdes. Respektimi i rregullave të komunikacionit është mënyra më e mirë për të mbrojtur jetën dhe shëndetin tuaj, të familjeve tuaja dhe të të gjithë qytetarëve”, thuhet në njoftim.