Shtylla e rrëzuar në Zhur, KEDS-i merr masa dhe eleminon problemin [foto]

Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS) ka njoftuar se është eliminuar problemi me shtyllën elektrike të rrëzuar në fshatin Zhur të Prizrenit, pas raportimit të rastit nga mediat.

Në një përgjigje për “Zërin”, KEDS-i thotë se ekipet e saj kanë dalë në terren që nga dita e djeshme, ku fillimisht kanë marrë masa për eliminimin e rrezikut, ndërsa më pas kanë nisur punimet për sanimin e dëmtimit.

“Punimet kanë vazhduar deri sot dhe ju njoftojmë se, falë angazhimit intensiv të ekipeve të KEDS në terren, problemi tashmë është eliminuar”, thuhet në njoftimin e kompanisë.

KEDS ka falënderuar mediat për raportimet, duke theksuar se ato, krahas kanaleve zyrtare të raportimit nga konsumatorët, ndihmojnë në reagimin më të shpejtë dhe përmirësimin e sigurisë së rrjetit elektrik.

“Na ndihmojnë të punojmë së bashku për një rrjet më të sigurt dhe më efikas për të gjithë konsumatorët”, ka deklaruar KEDS.

Kompania ka kërkuar që në raste të raportimeve që lidhen me aktivitetin e saj, mediat t’i drejtohen paraprakisht përmes kanaleve zyrtare të komunikimit, me qëllim që publiku të marrë informacion sa më të saktë dhe të plotë. /Zëri