Gjeti 3800 euro në një institucion publik, qytetari nga Gjakova i dorëzon në Polici
Një shembull i ndershmërisë qytetare është regjistruar në Gjakovë, ku një qytetar ka dorëzuar në Polici një shumë prej 3.800 eurosh të gjetur në një institucion publik.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, më 6 gusht 2026, në Stacionin Policor në Gjakovë, qytetari I. Fetahu ka dorëzuar një zarf që ishte gjetur nga bashkëshortja e tij, brenda të cilit ndodheshin 3.800 euro, transmeton Zeri.info.
Pas procedurave të verifikimit, policia ka konstatuar se paratë ishin raportuar si të humbura më 4 gusht 2026 nga pronari i tyre.
“Bazuar në hetimet e kryera është vërtetuar se shuma i përkiste personit që kishte bërë raportimin dhe mjetet i janë kthyer pronarit legjitim”, thuhet në njoftim.
Policia e Kosovës ka falënderuar familjen Fetahu për ndershmërinë dhe bashkëpunimin e treguar, duke e cilësuar veprimin e tyre si një shembull pozitiv të përgjegjësisë qytetare dhe bashkëpunimit me institucionet e rendit. /Zëri