Humb jetën në një aksident me motoçikletë në Shqipëri 38-vjeçari nga Kosova

Një 38-vjeçar nga Kosova ka humbur jetën mbrëmjen e së enjtes si pasojë e një aksidenti të rëndë me motoçikletë në autostradë, në afërsi të fshatit Fan, në Mirditë.

Viktima është Lorik Deci, ndërsa lajmin për vdekjen e tij e ka konfirmuar edhe një familjar përmes një postimi prekës në rrjetet sociale.

“Lamtumirë, Lorik… Ka lajme që ta thyejnë zemrën. Ikja jote e parakohshme na tronditi të gjithëve”, ka shkruar ai.

Në postim thuhet se Loriku do të kujtohet gjithmonë me respekt për buzëqeshjen, mirësinë dhe kujtimet që ka lënë pas, ndërsa janë shprehur ngushëllime për familjen Deci, të afërmit dhe miqtë.

Sipas Policisë së Shtetit, aksidenti ka ndodhur rreth orës 20:00, kur 38-vjeçari dyshohet se ka humbur kontrollin mbi motoçikletën dhe ka dalë nga rruga.

Ai është transportuar me urgjencë në Spitalin e Rrëshenit, por nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve të marra.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë grupi hetimor dhe shërbimet policore, të cilat po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit fatal.