IKSHPK-ja u bën thirrje pacientëve të vlerësojnë shërbimet shëndetësore
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve që, me rastin e marrjes së shërbimeve shëndetësore, ta plotësojnë pyetësorin elektronik përmes QR-kodit të vendosur në hapësirat e institucioneve shëndetësore.
Pyetësori është pjesë e projektit të përbashkët të IKSHPK-së dhe Ministrisë së Shëndetësisë për matjen e kënaqshmërisë së pacientëve.
Në njoftim, IKSHPK-ja ka bashkëngjitur edhe një video, në të cilën sqarohet mënyra e skanimit të QR-kodit dhe e plotësimit të pyetësorit.
Në video thuhet se qytetarët mund të japin mendimin e tyre për përvojën dhe shërbimin e marrë në institucionin shëndetësor, ndërsa plotësimi i pyetësorit është i lehtë, i shpejtë dhe anonim.
“Përvoja jote ka rëndësi! Kontribuo për ndryshim”, thuhet në video.