Rreth 49 mijë migrantë hyjnë në Ceuta, Spanja përforcon kufirin

Rreth 49 mijë migrantë kanë hyrë në territorin spanjoll të Ceutës, në Afrikën e Veriut, gjatë 24 orëve të fundit, sipas vlerësimeve të zyrtarëve spanjollë. Migrantët kanë kaluar nga Maroku përmes rrugëve tokësore dhe detare.

Pamjet e publikuara në mediat lokale kanë treguar mijëra persona duke hyrë në qytet përmes notit, ndërsa raportimet bëjnë të ditur se përpjekjet për kalim kanë vazhduar edhe gjatë natës. Autoritetet kanë njoftuar se të paktën 18 persona kanë humbur jetën ditët e fundit gjatë tentativave për të arritur në këtë territor.

Kriza e fundit vjen pas një vendimi të Gjykatës së Lartë të Spanjës, e cila këtë muaj vendosi se migrantët e ndaluar në det gjatë përpjekjeve për të arritur në Ceuta ose Melilla nuk mund të kthehen menjëherë në Marok.

Ceuta, e vendosur në bregdetin verior të Marokut, është një nga dy enklavat spanjolle në Afrikë dhe përbën një nga kufijtë e jashtëm tokësorë të Bashkimit Evropian me kontinentin afrikan. Për vite me radhë, ajo ka qenë një pikë kryesore për migrantët që synojnë të hyjnë në Evropë.

Pas rritjes së papritur të kalimeve, autoritetet lokale i kanë kërkuar ndihmë Madridit, ndërsa Spanja ka vendosur të dërgojë forca të armatosura për të përforcuar sigurinë në Ceuta dhe Melilla. Në Melilla, gjatë natës janë raportuar edhe 300 deri në 400 përpjekje për kalim.

Të dyja enklavat kanë qenë prej kohësh burim tensioni në marrëdhëniet mes Spanjës dhe Marokut. Madridi i konsideron Ceutën dhe Melillën pjesë përbërëse të territorit spanjoll, ndërsa ato mbeten të vetmet kufij tokësorë të Bashkimit Evropian me Afrikën.

Një krizë e ngjashme, por në përmasa shumë më të vogla, ishte shënuar në vitin 2021, kur rreth 8 mijë persona kaluan kufirin drejt Ceutës pas një përplasjeje diplomatike mes Spanjës dhe Marokut lidhur me çështjen e Saharasë Perëndimore./rtk