Serbia dhe Shqipëria drejt hapjes së konsullatave në Shkodër e Bujanoc, Gjuriqi tregon detajet e takimit me Hoxhën

Serbia dhe Shqipëria kanë arritur një marrëveshje në parim për hapjen e konsullatave në Shkodër dhe Bujanoc.

Lajmi është bërë i ditur nga ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriq, i cili tha se dakordësia është arritur gjatë takimit me homologun e tij shqiptar, Ferit Hoxha.

Në një intervistë për Radio Beogradin, Gjuriqi deklaroi se hapja e këtyre konsullatave do të jetë një hap në drejtim të forcimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.

“Më gëzon fakti që pata bisedime të mira me ministrin e ri të Jashtëm të Shqipërisë, Ferit Hoxha, me të cilin arritëm një marrëveshje në parim për hapjen e konsullatave të dy vendeve në Shkodër dhe Bujanoc”, tha Gjuriq.

Duke folur për procesin e integrimit evropian, ministri serb u shpreh se Serbia ka përshpejtuar zbatimin e reformave të lidhura me agjendën e Bashkimit Evropian, duke theksuar se anëtarësimi në BE mbetet një interes kombëtar i Beogradit.

Sipas tij, pjesa më e madhe e shkëmbimeve ekonomike të Serbisë zhvillohet me vendet e Bashkimit Evropian dhe rajonit, ndaj, siç tha ai, është e rëndësishme që Serbia të jetë pjesë e proceseve vendimmarrëse evropiane.

Gjuriqi foli edhe për marrëdhëniet me Çekinë, duke e cilësuar atë një partner të rëndësishëm për Serbinë në Evropën Qendrore.

Ai tha se gjatë vizitës në Pragë ka zhvilluar bisedime me ministrin e Jashtëm çek, Petr Maçenka, i cili, sipas tij, ka deklaruar se njohja e Kosovës nga qeveritë e mëparshme çeke ishte bërë nën presion.

Sa i përket Kosovës, Gjuriqi pretendoi se qeveria e kryeministrit Albin Kurti është duke u izoluar gjithnjë e më shumë në arenën ndërkombëtare.

“Sa më shumë që regjimi i Kurtit përdor dhunë ndaj serbëve dhe ndaj atyre që mendojnë ndryshe, aq më i izoluar bëhet në bashkësinë ndërkombëtare. Kjo është në favorin tonë”, u shpreh ai.

Duke komentuar çështjen e ndërtesës së ish-Generalishtabit në Beograd, ministri serb mbrojti ministrin e Kulturës, Nikola Selakoviq, duke thënë se ai ka vepruar në përputhje me ligjin dhe në interes të shtetit.

Ai i cilësoi akuzat ndaj tij dhe zyrtarëve të tjerë si një fushatë kundër interesave shtetërore dhe kombëtare të Serbisë.