Çka synon nisma legjislative e IKD-së për plotësim/ndryshimin e Kodit Penal?

Gjatë procesit zgjedhor, a ka garë të barabartë mes partive politike kur, sa herë afrohen zgjedhjet, partia në pushtet shpërndan paranë publike te votuesit përmes vendimeve qeveritare, duke anashkaluar Kuvendin, ndërsa qytetarët pyesin veten nëse këto vendime po përdoren për të ndikuar në votën e tyre?

A cenohen parimet e sundimit të ligjit  nëse vendimet e Gjykatës Kushtetuese, institucionit më të lartë për mbrojtjen e Kushtetutës, të mos zbatohen nga ana e institucioneve publike?

Nëse kjo nuk është normale dhe joligjore, atëherë është koha që qytetari përmes iniciativës ligjore të bëhet pjesë e ndryshimit dhe të mbrojë demokracinë, sundimin e ligjit dhe rendin kushtetues.

Qytetari i Kosovës meriton mirëqenie sociale, meriton ndihmën dhe dorën e shtetit. Por, jo duke e shfrytëzuar buxheti i Kosovës për efekte elektorale.

10, 50, 100 apo 500 euro shtesë për fëmijët, pensionistët, lehonat apo kategori të tjera të ndjeshme duhet të ndahen në bazë të ligjit dhe të jenë të garantuara çdo muaj, e jo vetëm gjatë fushatave parazgjedhore si mjet për ndikimin në vullnetin e qytetarëve.

Këto vendime u morën vetëm pak ditë para zgjedhjeve dhe u shoqëruan me debat të gjerë publik nëse buxheti i shtetit po përdorej për përfitim elektoral.

Paraja publike është e qytetarëve. Ajo duhet të përdoret për politika publike, jo për të krijuar përshtypjen se mund të ndikojë në vullnetin e qytetarëve në zgjedhje. Por ky nuk është problemi i vetëm.

Në Kosovë kemi parë raste kur vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk janë zbatuar me kohë, edhe pse Kushtetuta i bën ato të detyrueshme për të gjitha institucionet dhe personat.Një nga shembujt më të qartë ishte aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese për Ligjin për Pagat në Sektorin Publik.

Gjykata urdhëroi Kuvendin që, brenda gjashtë muajve, të ndryshonte Ligjin për Pagat dhe të rikthente pagesën e përvojës së punës nga 1 shkurti 2024. Megjithatë, ligji nuk u ndryshua siç kërkoi Gjykata. Në vend të kësaj, u tentua që çështja të adresohej përmes Ligjit për Ndarjet Buxhetore, që përvoja e punës të paguhej nga 1 janari 2026, pa e zbatuar aktgjykimin në tërësi. Si pasojë, edhe sot mbi 94 mijë zyrtarë publikë nuk kanë marrë pagesat që burojnë nga ky aktgjykim për plot 23 muaj.

Vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë detyruese.

Por sot, Kodi Penal nuk e përmend shprehimisht moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, por vetëm të vendimeve të gjykatave të rregullta.

Për këtë arsye, Instituti i Kosovës për Drejtësi ka filluar nismën legjislative qytetare për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit Penal.

Që refuzimi i qëllimshëm për zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të ketë pasoja ligjore. Dhe që përdorimi i parasë publike me qëllim përfitimin elektoral gjatë periudhave zgjedhore dhe parazgjedhore të parashikohet si vepër penale.

Për ta dërguar këtë nismë në Kuvend nevojitet mbështetja e të paktën 10 mijë qytetarëve.

Instituti i Kosovës për Drejtësi do të jetë në pjesën më të madhe në komunat e Kosovës, pranë qytetarëve, për t’i informuar dhe për t’i ftuar të bëhen pjesë e kësaj nisme. /Betimi per Drejtesi