Situata me zjarret, mbi katër mijë të evakuuar në Francë dhe 14 të vdekur në Spanjë

Gati 4,000 persona janë evakuuar nga vendet turistike në bregdetin Atlantik të Francës, ndërsa rikthimi i erërave dhe i nxehtësisë ekstreme rrezikon betejat e zjarrfikësve për të kontrolluar zjarret që po shpërthejnë në Francë dhe Spanjë.

Urdhri paraprak i evakuimit në Francë, i cili mbulon kampingjet, fshatrat e pushimeve dhe akomodime të tjera turistike rreth vendpushimit Lacanau në perëndim të Bordeaux, përkeqësoi një emergjencë nga zjarret në natyrë të përshkruar nga presidenti francez, Emmanuel Macron, si situata “më e vështirë” me të cilën ishte përballur vendi që nga Lufta e Dytë Botërore.

Gjatë një vizite në një qendër krize në Bordeaux të martën, Macron paralajmëroi se “javët e ardhshme do të jenë të vështira dhe ne duhet të rezistojmë”.

Ndërkohë, në Spanjë, një grua që ishte plagosur në një zjarr në provincën jugore të Almerias këtë muaj vdiq në spital, duke e çuar numrin e të vdekurve nga ai zjarr në 14.

Në Francë, Remi Lassoureille, një komandant zjarrfikësish në departamentin e Girondës, u citua nga Le Monde të ketë thënë se flakët atje, të cilat kanë shkatërruar 42,000 hektarë pyll, ishin “relativisht nën kontroll”, megjithëse zjarrfikësit kishin frikë nga një “shpërthim i mundshëm i zjarrit në krahun veriperëndimor drejt Lacanau”.

“Kjo është arsyeja pse vendosëm të evakuojmë kampingjet”, tha ai.