Të paktën 624 ushtarakë amerikanë janë plagosur që nga nisja e sulmeve ndaj Iranit

Të paktën 624 pjesëtarë të forcave të armatosura amerikane janë plagosur që kur presidenti Donald Trump urdhëroi sulmet ndaj Iranit në muajin shkurt, sipas përditësimit më të fundit të Pentagonit, të publikuar më 25 korrik.

Sipas të dhënave zyrtare, 417 të plagosur i atribuohen operacionit “Epic Fury”, ndërsa 207 të tjerë janë regjistruar në kategorinë “Overseas Operations” (Operacionet jashtë vendit).

Megjithëse SHBA-ja dhe Irani ranë dakord për një armëpushim në prill dhe nënshkruan një Memorandum Mirëkuptimi në qershor, përplasjet dhe sulmet mes dy palëve kanë vijuar gjatë gjithë kësaj periudhe.

Javën e kaluar, Pentagoni ndryshoi shifrat zyrtare për të vrarët dhe të plagosurit. Katër ushtarakë, të cilët më parë figuronin si të vdekur në operacionin “Epic Fury”, u hoqën nga kjo kategori dhe u transferuan te “Overseas Operations”.

Në sistemin e Pentagonit Defense Analysis Casualty System, deri të martën operacioni “Epic Fury” rezultonte me 18 të vrarë dhe 482 të plagosur. Më pas, pa ndonjë shpjegim publik, numri i viktimave u ul në 14, ndërsa emrat e katër ushtarakëve të vrarë u shfaqën në kategorinë “Overseas Operations”, e cila përfshin humbjet që nga 7 korriku 2026.

Ky ndryshim i heshtur në statistikat e viktimave është kritikuar si një veprim që dëmton transparencën. Gjeneral-lejtnanti në pension Ben Hodges, ish-komandant i forcave amerikane në Evropë, deklaroi se administrata “duket se e ka shumë të vështirë të jetë e sinqertë për atë që po ndodh, jo vetëm për viktimat, por për të gjithë luftën”.

Edhe kongresmeni republikan Thomas Massie, një kritik i shpeshtë i Trumpit, e quajti në rrjetin X ndarjen e konfliktit në kategori të ndryshme një “manovër absurde”.

BBC ka kërkuar një reagim nga Departamenti Amerikan i Mbrojtjes.

Nga ana tjetër, zëdhënësi i Pentagonit, Sean Parnell, tha në X se ndryshimet në statistika ishin pasojë e “ndërprerjeve të përkohshme të të dhënave” dhe se problemet po zgjidhen në bashkëpunim me degët e forcave të armatosura.

Ndërkohë, më 21 korrik, presidenti Trump shkroi në Truth Social se konflikti ushtarak me Iranin kishte shkaktuar 18 viktima amerikane.

Sipas agjencisë Associated Press, kategoria “Overseas Operations” u shfaq për herë të parë në faqen e Pentagonit të dielën. Ajo përfshin emrat e katër ushtarakëve të vrarë së fundmi dhe regjistron 207 të plagosur, megjithëse nuk është e qartë nëse të gjithë janë plagosur si pasojë e luftës me Iranin.

Ndryshimet në regjistrat zyrtarë duket se lidhen me katër ushtarakët amerikanë që humbën jetën gjatë muajit korrik, pasi marrëveshja e përkohshme mes SHBA-ve dhe Iranit filloi të shpërbëhej dhe presidenti Trump deklaroi se armëpushimi ishte “marrë fund”.

Tre ushtarakë amerikanë u vranë pas sulmeve me raketa iraniane ndaj një baze ushtarake në Jordani më 17 korrik, ndërsa një tjetër humbi jetën në Irak gjatë një shpërthimi të kontrolluar të një droni iranian.

Që nga mesi i korrikut, SHBA-ja ka goditur infrastrukturën ushtarake iraniane, ndërsa forcat iraniane kanë sulmuar bazat amerikane në vendet fqinje për 13 net radhazi. Megjithatë, që nga e premtja është shënuar një pauzë në luftime, ndërsa e diela ishte nata e tretë radhazi pa sulme nga asnjëra palë. /abcnews