Velipoja mbushet me pushues, plazhi në kulmin e sezonit veror

Plazhi i Velipojës, në Shkodër, gjatë këtij sezon veror po frekuentohet nga pushues të shumtë,  që kanë zgjedhur këtë zonë bregdetare për të kaluar fundjavën dhe për të shijuar detin, diellin dhe atmosferën e pushimeve.

Gjatë të dielës së fundit të muajit korrik, e gjithë vija bregdetare e Velipojës është mbushur me pushues vendas dhe të huaj, të cilët kanë frekuentuar plazhin duke shijuar temperaturat e larta dhe ujërat e Adriatikut.

Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale, pamje nga plazhi i Velipojës ku shihet zona turistike, me pushues të shumtë përgjatë bregdetit, teksa fëmijë të shumtë dhe të rinj zbaviten edhe me aktivitete të ndryshme sportive ujore.

“E diel në Velipojë”, shkroi Rama.

Përveç pushimeve tradicionale në plazh, në Velipojë po zhvillohen edhe aktivitete argëtuese në det, përfshirë sporte me varka dhe mjete motorike ujore, duke i dhënë më shumë gjallëri sezonit turistik.

Velipoja vijon të mbetet një nga destinacionet më të preferuara të verës në veri të vendit, falë plazhit të gjerë ranor, natyrës përreth dhe mundësive që ofron për pushime familjare dhe argëtim.

Fluksi i lartë i vizitorëve gjatë kësaj periudhe dëshmon interesin e shtuar për destinacionet bregdetare shqiptare, ndërsa sezoni veror vijon me ritme të larta në të gjithë vijën bregdetare të vendit dhe jo vetëm./atsh