Leo Messi ka prejardhje nga Brazili!
Një zbulim i ri ka ngjallur debat në botën e futbollit, pasi një hetim trevjeçar i historianit italian Fiorenzo Santini, i publikuar nga media braziliane Globo, pretendon se superylli argjentinas Lionel Messi ka rrënjë braziliane.
Sipas raportit, stër-stërgjyshi i Messit emigroi nga Italia drejt Brazilit në vitin 1899, ku familja jetoi për një periudhë përpara se të shpërngulej në Rosario të Argjentinës.
Gjatë qëndrimit në Brazil, thuhet se mbiemri i familjes së Mesit dhe disa prej emrave u ndryshuan.
Hetimi pretendon se nuk ekzistojnë dokumente që dëshmojnë se familja e Messit ka mbetur në Brazil pasi u vendos në Argjentinë, vend ku më vonë lindi kampioni i botës dhe një nga futbollistët më të mëdhenj të të gjitha kohërave.
Megjithëse raporti ka ngjallur interes të madh në mediat sportive dhe në rrjetet sociale, pretendimet e historianit mbeten të pakonfirmuara zyrtarisht.