AKB-ja kërkon që rezervat shtetërore të furnizohen me grurë vendor

Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që rezervat shtetërore të furnizohen me grurin e prodhuar nga fermerët vendorë, duke vlerësuar se kjo do të mbështeste bujqësinë, do të rriste sigurinë ushqimore dhe do të shmangte shpenzimet e larta për importe.

Sipas AKB-së, fermerët kosovarë gjatë këtij sezoni të korrje-shirjeve po përballen me mungesë tregu, kapacitete të pamjaftueshme për deponim dhe çmime të ulëta të grurit, të cilat aktualisht variojnë nga 16 deri në 18 centë për kilogram.

Në reagimin e saj, AKB-ja thekson se prodhuesit vendorë kanë investuar dhe kanë siguruar prodhim, por po hasin vështirësi në plasimin e tij në treg, situatë që, sipas organizatës, rrezikon zhvillimin e bujqësisë dhe sigurinë ushqimore të vendit.

AKB-ja rikujton gjithashtu se procesi i blerjes së grurit për rezervat shtetërore nga importi ka qenë objekt hetimesh nga organet e drejtësisë. Organizata përmend se Gjykata Themelore ka konfirmuar aktakuzën ndaj ish-ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, si dhe disa zyrtarëve të tjerë të ministrisë, në lidhje me rastin e rezervave shtetërore.

Sipas AKB-së, në aktakuzë janë ngritur dyshime për blerjen e grurit me çmime më të larta se ato të tregut, me pasoja të pretenduara për buxhetin e shtetit.

Organizata vlerëson se këtë vit institucionet duhet të orientohen drejt blerjes së prodhimit vendor për rezervat strategjike. Sipas saj, nëse vite më parë gruri është importuar nga Turqia me një çmim prej rreth 0.47 euro për kilogram, ndërsa fermerët kosovarë aktualisht e ofrojnë prodhimin me 16–18 centë për kilogram, atëherë ekziston një mundësi reale për të mbështetur prodhuesit vendas dhe për të ulur kostot për shtetin.

Kryetari i AKB-së, Agim Shahini, deklaroi se Kosova nuk duhet të importojë produkte që fermerët e saj i prodhojnë.

“Rezervat shtetërore duhet të jenë mbështetje për ekonominë vendore, jo vetëm një proces blerjeje. Nëse shteti ka nevojë për grurë për rezervat strategjike, zgjidhja më e drejtë ekonomike është ta blejë atë nga fermerët tanë. Kjo është në interes të buxhetit, prodhuesve dhe qytetarëve të Kosovës”, ka deklaruar Shahini.

Në fund, AKB-ja u ka bërë thirrje institucioneve përgjegjëse të ndërmarrin masa urgjente për grumbullimin e grurit vendor, zgjerimin e kapaciteteve depozituese dhe krijimin e një tregu të qëndrueshëm për prodhuesit kosovarë. /rtk