Haxhiu dekoron grupin “Marigona” për kontributin në muzikën rock të Kosovës

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu ka dekoruar grupin legjendar “Marigona” në shenjë vlerësimi për kontributin e tij në promovimin e vlerave muzikore dhe zhvillimin e muzikës rock në Kosovë.

Përmes një postimi, Haxhiu tha se grupi “Marigona” është pjesë e gjeneratës së artë të rockut kosovar dhe se krijimtaria e tij ka lënë gjurmë të rëndësishme në historinë kulturore të vendit.

“Sot dekorova grupin ‘Marigona’ për promovimin e vlerave muzikore, si pjesë e gjeneratës së artë të rokut në Kosovë. Këngët e tyre mbeten pjesë e një periudhe të rëndësishme të zhvillimit kulturor të Kosovës dhe vazhdojnë të dëgjohen me të njëjtën dashuri edhe sot”, ka shkruar Haxhiu.

Ajo shtoi se me krijimtarinë dhe veçantinë artistike, grupi “Marigona” ka lënë një trashëgimi të qëndrueshme në muzikën kosovare dhe në kujtesën e shumë brezave.