Qeveria ndan mbi 255 mijë euro për tekstet mësimore për Luginën

Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës ka mbajtur mbledhje elektronike, në të cilën ka miratuar tri vendime që lidhen me furnizimin me ujë, arsimin dhe mbështetjen e sektorit të inovacionit.

Ekzekutivi ka miratuar vendimin për dhënien në shfrytëzim afatgjatë pa kompensim të pronave të menaxhuara nga Agjencia Pyjore e Kosovës për nevojat e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit KRU “Mitrovica” Sh.A., me qëllim realizimin e projektit për sigurimin e furnizimit me ujë të pijshëm për Komunën e Leposaviqit.

Po ashtu, është miratuar ndarja e 255,153.45 eurove për pajisjen me tekste mësimore në gjuhën shqipe për nxënësit shqiptarë që ndjekin mësimin në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.

Në mbledhje është aprovuar edhe ndarja e 40 mijë eurove për mbështetjen e organizimit dhe realizimit të ngjarjeve me karakter ndërkombëtar në fushën e inovacionit, teknologjisë, ndërmarrësisë dhe transformimit digjital.

Sipas vendimit, mjetet synojnë promovimin e Republikës së Kosovës, forcimin e imazhit të saj ndërkombëtar, zhvillimin e ekosistemit vendor të inovacionit dhe rritjen e dukshmërisë ndërkombëtare përmes organizimit të iniciativave dhe ngjarjeve globale në këto fusha.

Nga kjo shumë, 20 mijë euro janë ndarë për organizatën FLOSSK (Free Libre Open Source Software Kosova), ndërsa 20 mijë euro të tjera për Innovation Center Kosovo (ICK).