Oficerë të FSK-së diplomojnë në Shqipëri në kurse të avancuara ushtarake
Një grup oficerësh të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) kanë diplomuar me sukses në Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, duke përfunduar Kursin e Lartë të Oficerit dhe Kursin e Komandës dhe Shtabit të Përgjithshëm.
Sipas njoftimit të FSK-së, këto programe të avancuara të edukimit ushtarak synojnë zhvillimin e njohurive dhe aftësive profesionale për planifikimin, organizimin dhe drejtimin e operacioneve ushtarake në mjedise komplekse të sigurisë.
Po ashtu, kurset përgatisin oficerët për të marrë vendime të bazuara në vlerësime profesionale dhe për të ofruar këshillim ushtarak në proceset e planifikimit dhe përdorimit të forcës.
FSK-ja vlerëson se përfundimi me sukses i këtyre programeve përbën një arritje të rëndësishme në zhvillimin profesional të oficerëve, duke kontribuuar në forcimin e kapaciteteve udhëheqëse dhe operacionale të institucionit.
Në të njëjtën kohë, sipas njoftimit, diplomimi dëshmon bashkëpunimin e ngushtë dhe të qëndrueshëm ndërmjet institucioneve ushtarake të Kosovës dhe Shqipërisë në fushën e edukimit dhe aftësimit ushtarak. /Zëri