Policia në Gjakovë parandalon gara ilegale të shpejtësisë
Njësia Rajonale e Trafikut Rrugor e Policisë në Gjakovë ka ndërmarrë masa për parandalimin e garave ilegale të shpejtësisë me automjete, si pjesë e aktiviteteve për rritjen e sigurisë në komunikacion.
Sipas njoftimit të Policisë, gjatë veprimeve të ndërmarra në terren është arritur të parandalohen gara të shpejtësisë në rrugët e Gjakovës.
Ndaj dy drejtuesve të automjeteve janë shqiptuar masa ndëshkuese në përputhje me Ligjin për Trafikun Rrugor, të cilat përfshijnë gjobë në vlerë prej 500 eurove, pesë pikë negative dhe masë mbrojtëse të heqjes së patentë shoferit për një periudhë 12-mujore.
“Njësia Rajonale e Trafikut Rrugor e Policisë në Gjakovë, në kuadër të planifikimeve të vazhdueshme për ngritjen e sigurisë në komunikacion, ka arritur të parandalojë garat e shpejtësisë me automjete në Gjakovë”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë u ka bërë thirrje qytetarëve që të bashkëpunojnë me institucionet e sigurisë për parandalimin e veprimtarive të kundërligjshme dhe të shmangin sjelljet e rrezikshme gjatë drejtimit të automjeteve.
Policia ka theksuar se do të vazhdojë me kontrolle dhe masa të shtuara me qëllim të rritjes së sigurisë për të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion.