Lidhja mes shëndetit oral dhe shëndetit të përgjithshëm
Kur flasim për shëndetin oral, shumica mendojnë për kariesin ose erën e keqe nga goja. Por shkenca na tregon se goja është pjesë integrale e organizmit. Ajo nuk është e ndarë nga pjesa tjetër e trupit. Shumë sëmundje sistemike shfaqin shenjat e para në gojë, ndërsa inflamacioni dhe infeksionet orale mund të ndikojnë në shëndetin e përgjithshëm. Prandaj, kujdesi për gojën nuk ka të bëjë vetëm me estetikën, por me shëndetin në tërësi.
Goja si pasqyrë e organizmit
Dentisti shpesh është profesionisti i parë që vëren shenja të sëmundjeve sistemike.
Në gojë mund të shfaqen shenja të:
- diabetit
- anemisë
- mungesës së vitaminës B12 ose hekurit
- sëmundjeve autoimune
- çrregullimeve hematologjike
- infeksioneve virale ose fungale
Prandaj një kontroll rutinë dentar ndonjëherë mund të çojë në diagnostikimin e hershëm të një sëmundjeje të përgjithshme.
Periodontiti – më shumë se një problem i mishrave të dhëmbit
Kjo është sëmundja orale me lidhjen më të fortë shkencore me organizmin. Periodontiti është një inflamacion kronik i indeve që mbështesin dhëmbin.
Kur mishrat janë të inflamuar:
- Bakteret orale dhe toksinat e tyre mund të kalojnë përkohësisht në qarkullimin e gjakut, duke rritur ngarkesën inflamatore të organizmit.
Diabeti – marrëdhënia dykahëshe
Diabeti, në njërën anë:
- e dobëson përgjigjen imunitare
- favorizon inflamacionin
- rrit rrezikun për periodontit
Nga ana tjetër, periodontiti rrit inflamacionin kronik dhe vështirëson kontrollin e glikemisë.
Sëmundjet kardiovaskulare
Studime të shumta kanë gjetur lidhje midis periodontitit dhe:
- aterosklerozës
- infarktit të miokardit
- insultit cerebral
Mekanizmi i propozuar përfshin:
- inflamacion kronik
- dëmtim të endotelit
në disa raste prani të baktereve orale në pllakat aterosklerotike
Parandalimi
Lajmi i mirë është se shumica e sëmundjeve orale mund të parandalohen.
Kjo përfshin:
- larjen e dhëmbëve të paktën dy herë në ditë
- përdorimin e fillit dentar ose furçave interdentare
- reduktimin e sheqernave
- mospirjen e duhanit
- kontrollet periodike çdo 6 muaj ose sipas nevojës.
“Një gojë e shëndetshme nuk do të thotë vetëm buzëqeshje e bukur, por edhe më pak inflamacion, më pak infeksione dhe një kontribut i rëndësishëm në mirëqenien e përgjithshme. Prandaj, vizita te dentisti nuk duhet të bëhet vetëm kur kemi dhimbje, por duhet të jetë pjesë e kujdesit të rregullt për shëndetin”.