Vritet i riu kosovar në Suedi - raportohet se ishte kalimtar rasti

Një kosovar ka humbur jetën si pasojë e të shtënave me armë zjarri, që ndodhën të dielën në mbrëmje në lagjen Kvarngärdet të Uppsalas në Suedi.

Policia suedeze njoftoi se një burrë rreth të 20-ave u gjet i vdekur pas raportimeve për të shtëna rreth orës 21:00.

Në lidhje me rastin është hapur hetim për vrasje, ndërsa një i dyshuar është arrestuar dhe ndodhet në paraburgim me vendim të prokurorit.

Sipas familjarëve, viktima është i riu kosovar Gent Maksutaj.

Mediat raportojnë se ai dyshohet të ketë qenë kalimtar rasti gjatë një përleshjeje mes grupeve kriminale.

Autoritetet suedeze po vazhdojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.