Kasolli: Kriza në LDK pasojë e rezultateve zgjedhore, partia duhet të rithemelohet politikisht

Lidhja Demokratike e Kosovës po përballet me një krizë të thellë të brendshme, e nxitur nga pakënaqësitë pas rezultateve të fundit zgjedhore, ndërsa nisma për mbledhjen e nënshkrimeve për shkarkimin e kryetarit Lumir Abdixhiku është shfaqja më e hapur e këtyre përçarjeve.

Kështu vlerëson analisti politik Afrim Kasolli, i cili thotë se edhe nëse Abdixhiku arrin ta ruajë pozitën e kryetarit, ai do të mbetet një lider i brishtë, ndërsa LDK-ja ka nevojë për një rithemelim politik dhe ndryshim të qasjes, më shumë sesa vetëm për ndërrim të lidershipit.

Kasolli tha se zhvillimet e fundit janë rezultat i pakënaqësive të grumbulluara prej kohësh brenda LDK-së.

“Po në fakt këto janë veç manifestim tash më i hapur, do të thotë i disa krizave të brendshme që kanë qenë në Lidhjen Demokratike të Kosovës, sepse është folur, është raportuar që ka pakënaqësi të brendshme në këtë subjekt politik, do të thotë për shkak të rezultateve të vazhdueshme jo të mira elektorale që ky subjekt politik i ka siguruar në këto betejat e fundit politike. Në këtë drejtim kjo që po shohim tashmë është një mobilizim më i madh i disa degëve të këtij subjekti politik për ta kontestuar lidershipin e zotit Abdixhiku, i cili në fakt shpëtoi për fije të perit edhe pak më herët nëpërmjet një kuvendi të jashtëzakonshëm të këtij subjekti politik, u pa qartë që gjysma e anëtarësisë së kuvendit të Lidhjes Demokratike të Kosovës nuk është e kënaqur me të, nuk e don për kryetar, votuan kundër tij, por megjithatë e kaloi atë farë lloj testi të Rubikonit në atë fazë”, tha ai.

Sipas tij, pritjet që Abdixhiku kishte nga bashkëpunimi me presidenten Vjosa Osmani nuk prodhuan rezultatin e dëshiruar, duke shtuar pakënaqësitë brenda partisë.

“Gjithë shpresa, do të thotë i gjithë kalkulimi siç duket i zotit Lumir Abdixhiku ishte që nëpërmjet eksperimentit me Vjosa Osmanin, të sigurojë një rezultat tjetër për këtë subjekt politik, por as kjo nuk i dha rezultatet e pritura dhe atëherë kjo duket që ka ndikuar që të shtohet revolta dhe të shtohen pakënaqësitë brenda këtij subjekti, brenda këtij subjekti politik. Dhe tashmë Lumir Abdixhiku e ka bërë të qartë që nuk do t’i përfillë kërkesat e tyre. Mbetet të shihet se cili do të jetë epilogu i nënshkrimeve të mbledhura për shkarkimin e tij, ngase në masë të madhe ai po insiston do të thotë me një farë lloj teorie kështu konspirative, nëse mund ta quajmë, që pikërisht në kohën kur sipas tij po forcohet Lidhja Demokratike e Kosovës, armiqtë e brendshëm po mobilizohen që ta pengojnë projeksionin e tij të mirë. Por rezultatet zgjedhore në fakt, nuk e tregojnë këtë bindje të tij, bindjet e tij politike”, tha ai, për Ekonomia Online.

Ai shtoi se edhe në rast se Abdixhiku mbetet në krye të partisë, kjo nuk do ta zgjidhë krizën e brendshme.

“Se cili do të jetë epilogu i këtyre nënshkrimeve dhe i kësaj iniciative mbetet të shihet sepse siç thashë jo shumë kohë më parë zoti Abdixhiku e tejkaloi një test të tillë, mirëpo edhe nëse ai arrin të mbijetojë si kryetar, padyshim është një kryetar fragjil dhe që nuk jep shpresë se ky subjekt politik do të jetë funksional dhe do të ketë unitet të mirëfilltë të brendshëm për t’u ballafaquar me oponentët e jashtëm politikë. Pra, shihet që konflikti tashmë tepër është zhvendosur kundër njëri-tjetrit në Lidhjen Demokratike të Kosovës sesa kundër po e zëmë Albin Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje që e cila po gëzon një pushtet dhe një hegjemonizëm të jashtëzakonshëm politik në vend”, tha ai.

Kasolli vlerësoi se mungesa e rezultateve zgjedhore e bën të natyrshme kërkesën për përgjegjësi politike, por tha se vetëm ndërrimi i kryetarit nuk do të mjaftonte.

“Është më se normale kur mungojnë rezultatet zgjedhore sepse nuk janë këto zgjedhjet e para në të cilat është kjo humbja e parë e zotit Abdixhiku. Është normale që liderët politikë të marrin përgjegjësi për mosrealizimin e projeksioneve dhe premtimeve të dhëna para bazës partiake elektorale e të tjera. Mirëpo tash kjo që po e shohim në Lidhjen Demokratike të Kosovës do të thotë besoj që edhe me një ndërrim të lidershipit në rrethanat dhe në mënyrën se si funksionon ky subjekt politik nuk do të ishte ndonjë kontribut i jashtëzakonshëm për ta përmirësuar performancën e saj sepse ne kemi parë edhe në Partinë Demokratike të Kosovës do të thotë prej vitit 2021 janë ndërruar tre liderë politikë, fillimisht u detyrua Enver Hoxhaj, Memli Krasniqi, tash zoti Hamza, mirëpo po mungojnë edhe përkundër ndërrimit të liderëve politikë po mungojnë rezultatet elektorale”, tha ai.

Sipas tij, LDK-ja ka humbur orientimin politik që nga vdekja e ish-presidentit Ibrahim Rugova dhe ka lëvizur ndërmjet dy qasjeve të ndryshme politike.

“Pra, para se LDK-së ashtu edhe si Partisë Demokratike të Kosovës, po tashmë meqë tema është për Lidhjen Demokratike të Kosovës, i duhet në një farë mënyre ta rithemelojë vetveten politikisht, do të thotë ta gjejë vetveten në situatat e reja. Prej, ne kemi parë që prej vdekjes së ish-presidentit Rugova ky subjekt politik në masë të madhe ka qenë kogja i humbur në kohë dhe në hapësirë, nuk ka arritur ta gjejë veten si duhet dhe kryesisht ka osciluar ndërmjet dy prirjeve politike. Në njërën anë një grup i cili e ka preferuar më tepër bashkëpunimin me Partinë Demokratike të Kosovës, kurse në anën tjetër do të thotë grupi tjetër i cili është revoltuar për këtë bashkëpunim dhe ka preferuar më shumë bashkëpunimin me Lëvizjen Vetëvendosje. Do të thotë Lidhja Demokratike e Kosovës ka osciluar ndërmjet këtyre dy prirjeve dhe nuk ka arritur ta dëshmojë veten se për çfarë është. Do të thotë këto përçarjet e brendshme kanë dëshmuar se kundër kujt janë njëri me tjetrin e që më pastaj e kanë kthyer në një fragmentarizim të brendshëm, por jo që ajo të dëshmojë se për çfarë qëndron vetë si subjekt politik”, tha ai.

Në fund, ai theksoi se sfida kryesore e LDK-së nuk është vetëm zgjedhja e një lideri të ri, por përcaktimi i një identiteti të qartë politik.

“Prandaj Lidhjes Demokratike të Kosovës, nëse në këtë subjekt, nëse mirëfilli dëshirojnë që t’i tejkalojë këto sfida dhe ta mbijetojë këtë test politik, para ndërrimit të liderit politik i duhet para së gjithash do të thotë ndërrimi i qasjes, ndërrimi i mënyrës së rezonimit politik dhe rithemelimi i vetvetes që të dëshmohet para qytetarëve të Kosovës se për çfarë ajo qëndron më shumë sesa kundër diçkaje tjetër”, tha ai.