Një person zhduket në Liqenin e Batllavës pasi hyri në ujë, mobilizohen ekipet e kërkim-shpëtimit

Një person dyshohet se ka hyrë sot në Liqenin e Batllavës dhe më pas nuk është parë të dalë nga uji.

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Enis Pllana.

Sipas tij, rreth orës 13:00 Policia ka pranuar informatën se një person dyshohet se ka hyrë në ujë në Liqenin e Batllavës dhe më pas nuk është parë të dalë.

"Menjëherë pas pranimit të informatës, janë angazhuar të gjitha njësitë relevante policore, si dhe njësitë e tjera të kërkim-shpëtimit, me qëllim të lokalizimit të personit", ka deklaruar Pllana.

Ai bëri të ditur se operacioni i kërkim-shpëtimit është ende në zhvillim dhe ekipet kompetente po vazhdojnë kërkimet në terren.