Sot, temperaturat deri në 29 gradë

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka bërë të ditur se, me hyrjen në stinën astronomike të verës, vendi ynë do të ndikohet nga masa ajrore relativisht të paqëndrueshme, të cilat gjatë fillimit të javës do të favorizojnë zhvillimin e vranësirave konvektive, reshjeve lokale të shiut dhe shkarkimeve të rrufeve, shkruan Zeri.info.

Sipas IHMK-së, këto reshje janë të mirëpritura për sektorin e bujqësisë, pasi kontribuojnë në ruajtjen e lagështisë së tokës dhe përmirësimin e kushteve agrometeorologjike për kulturat bujqësore.

“Kushtet biometeorologjike përgjithësisht do të jenë të favorshme për pjesën më të madhe të popullatës, megjithëse gjatë intervaleve me temperatura më të larta dhe para zhvillimit të stuhive lokale mund të ketë shqetësime të lehta te personat e ndjeshëm ndaj ndryshimeve atmosferike”, bën të ditur IHMK-ja.

Indeksi UV gjatë intervaleve me diell do të jetë i lartë, prandaj rekomandohet shmangia e ekspozimit të zgjatur në diell gjatë orëve të mesditës dhe përdorimi i masave mbrojtëse.

Për ditën e sotme, IHMK-ja ka bërë të ditur se do të mbajë mot i vranët me intervale me diell. Gjatë ditës, vranësirat parashihen të sjellin reshje lokale shiu dhe shkarkime rrufesh.

Temperaturat minimale gjatë ditës së sotme do të lëvizin ndërmjet 13 e 16 gradë Celsius, kurse maksimalet do të arrijnë në 26 e 29 gradë Celsius.

Era do të fryjë nga veriperëndimi me shpejtësi 1 deri në 11 metra për sekondë. /Zëri

Më poshtë jua sjellim grafikën me temperaturat minimale dhe maksimale për ditën e sotme në qytetet kryesore të vendit: