Behrami kritikon Kurtin për mungesë reagimi pas vdekjes së Sahit Jasharit

Deputeti i zgjedhur i PDK-së, sipas rezultateve preliminare të KQZ-së, Artan Behrami, ka kritikuar kryeministrin në detyrë Albin Kurti, duke thënë se ai deri më tani nuk ka shprehur ngushëllime publike për ndarjen nga jeta të Sahit Jasharit, komandant, bashkëluftëtar dhe familjar i afërt i Adem Jashari.

Në një postim në Facebook, Behrami ka vlerësuar se heshtja ndaj një figure të tillë përbën, sipas tij, mungesë empatie dhe respekti institucional.

“Deri në këto çaste, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, nuk ka shprehur ngushëllime publike për ndarjen nga jeta të Sahit Jasharit, komandantit, bashkëluftëtarit dhe familjarit të afërt të Adem Jasharit. Heshtja ndaj një figure të tillë, e cila lidhet drejtpërdrejt me historinë e rezistencës dhe luftës çlirimtare të Kosovës, është një mungesë empatie dhe respekti institucional. Përballë një humbjeje të madhe për një familje që mbart një pjesë të rëndësishme të historisë së Kosovës, mosreagimi është i papranueshëm”, ka shkruar Behrami.

Behrami ka kritikuar edhe ushtruesen e detyrës së presidentes Albulena Haxhiu, duke thënë se reagimi i saj ka qenë “i ftohtë”, pasi nuk janë theksuar gradat ushtarake dhe pesha historike e kontributit të të ndjerit.

“Sahit Jashari ishte pjesë e historisë kombëtare të sakrificës, qëndresës dhe luftës për liri. Ndërkohë, reagimi i u.d. Presidentes, Albulena Haxhiut, është tepër i ftohtë, pasi në të nuk u theksuan gradat ushtarake, meritat e luftës dhe pesha historike e sakrificës së Sahit Jasharit. Respekti për ata që kanë kontribuar për lirinë e vendit nuk duhet të jetë çështje bindjesh politike, por një minimum i kujtesës dhe mirënjohjes kombëtare”, shkroi Behrami në Facebook.