97 për qind e vendvotimeve janë procesuar, Prishtina ende në numërim
Procesi i verifikimit dhe numërimit të votave për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të mbajtura më 7 qershor 2026, ka përfunduar në Gjilan dhe Prizren, ndërsa vazhdon ende në Prishtinë.
Sipas zëdhënësit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, deri të premten në orën 16:00, procesi i verifikimit dhe numërimit ka përfunduar në 37 Qendra Komunale të Numërimit, ndërsa janë procesuar 2,425 nga 2,498 vendvotime, apo 97.07 për qind.
Procesi nuk është përmbyllur ende në Qendrën Komunale të Numërimit në Prishtinë, ku janë procesuar 189 nga 262 vendvotime, ndërsa kanë mbetur edhe 73 vendvotime për t’u numëruar.
Ndërkohë, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve po vazhdon numërimi i fletëvotimeve nga votimi në përfaqësitë diplomatike. Deri të premten në orën 17:00 janë numëruar 23 nga 47 vendvotimet e përfaqësive diplomatike.
Më 6 qershor, votimi u zhvillua në 30 përfaqësi diplomatike në 18 shtete të ndryshme. Nga 27,724 shtetas të regjistruar, votuan 22,860 apo 82.46 për qind.
Po ashtu, në QNR ka vazhduar edhe procesi i vlerësimit të pakove të supozuara me fletëvotime nga votimi me postë. Deri në përfundim të 11 qershorit, në procesin e vlerësimit janë përfshirë rreth 42 mijë pako, prej të cilave 40,414 janë aprovuar, ndërsa 1,447 janë refuzuar.
Sipas KQZ-së, arsyeja më e shpeshtë e refuzimit ka qenë mungesa e dëftesës së regjistrimit, dokument që votuesit e regjistruar e pranojnë nga KQZ-ja./rtk