Kompleksi Memorial në Reçak nën mëshirën e vullnetarëve – dy muaj pa mirëmbajtje
Kjo ishte pamja e Kompleksit Memorial në Reçak, të enjten.
E për të, po përkujdeset vullnetarisht Abdullah Musliu.
Krejt meqë ka dy muaj që kontrata me kompaninë që e mirëmbante këtë kompleks, është ndërprerë.
“Në mënyrë vullnetare unë së bashku me djalin tim dhe dy ish punëtorë që kanë punu këtu nuk e kemi lonë në atë gjendje për shkak të vizitorëve të shumtë, nuk e kemi lënë në gjendjen e keqe edhe e kemi bë mirëmbajtjen në ato mundësitë e tona”, tha Abdullah Musliu – banor.
Musliu tregon arsyen se pse këtë nuk e bëri të ditur më herët.
“Edhe nuk e kam bërë të madhe më herët për shkak të fushatës edhe nuk kam dashtë që dikush me i dhënë konotacion politik sepse ne mundemi me bë fushata zgjedhore në çfarë dush forme por jo me varreza”, u shpreh ai.
Për situatën, Abdullah Musliu thotë se nuk kanë marrë sqarim zyrtar për arsyen e ndërprerjes.
“I ka përafërsisht dy muaj që është ndërpre kontrata, unë fillimisht e kom njoftuar komunën qe mi marrë hapat me biseduar me agjencionin pastaj kom bisedua me drejtorin e agjencionit përmes sms për me bo një zgjidhje unë nuk e di arsyen e ndërprerjes”, shprehet ky banor.
Se nuk janë duke e mirëmbajtur kompleksin, e pranojnë edhe nga kompania “Loni”.
Këta të fundit thonë se kontrata iu është pezulluar nga 10 prilli.
“Kontrata është pezulluar që nga data 10.04.2026 përmes email-it na është dërguar vendimi për pezullim nga Autoritetit Kontraktues: Agjencia për Menaxhimin e Monumenteve dhe Komplekseve Memoriale – AMMKM. Që nga ajo datë, punimet/shërbimet e parapara me kontrata nuk janë zhvilluar sipas planifikimit kontraktual. Kompania jonë ka zhvilluar komunikime zyrtare me Autoritetin Kontraktues, duke kërkuar sqarime dhe trajtim të çështjes. Deri më tani nuk kemi pranuar përgjigje pozitive për vazhdimin e kontratave, ndërsa ende presim zgjidhje përfundimtare dhe vendimmarrje për çështjet e ngritura”, thuhet nga kompania.
E nga Agjencia për Menaxhimin e Monumenteve dhe Komplekseve Memoriale për Tëvë1, thonë se pezullimi është i përkohshëm.
“Presim që gjatë javës së ardhshme të marrim konfirmime zyrtare nga organet kompetente, në mënyrë që aktivitetet e mirëmbajtjes të rikthehen në terren në çdo formë që lejohet. Është me rëndësi të theksohet se kontratat janë pezulluar dhe jo ndërprerë. Ky dallim është thelbësor, pasi pezullimi është masë e përkohshme, e cila do të mbetet në fuqi deri sa komisioni përkatës të përfundojë punën e tij në shqyrtimin dhe zgjidhjen e çështjes së konfliktit të interesit, në përputhje me vendimet e pranuara nga organet përgjegjëse. Zotohem se, brenda një kohe sa më të shkurtër, do të bëj çdo përpjekje që Kompleksi Memorial në Reçak, si dhe memorialet e tjera, të rikthehen në shërbim të rregullt të mirëmbajtjes, gjithmonë duke respektuar dhe zbatuar ligjin në tërësi”, thuhet nga kjo agjenci.
E deri në vazhdimin e kësaj kontrate, gjendja e kompleksit memorial në Reçak, do të vazhdojë të mbetët nën mëshirën e vullnetarëve.