Ndotja në lumin Krena shqetëson qytetarët e Gjakovës, kërkohet ndërhyrje
Ndotja në zonën përreth lumit Krena po shqetëson qytetarët e Gjakovës, të cilët thonë se mbeturinat po dëmtojnë biodiversitetin dhe bukurinë natyrore të kësaj hapësire. Institucionet premtojnë pastrim dhe mirëmbajtje të rregullt pas përfundimit të punimeve në shtratin e lumit.
Shumë qytetarë të komunës së Gjakovës e frekuentojnë zonën përreth lumit Krena për shëtitje dhe rekreacion. Megjithatë, shqetësim i madh për ta mbetet ndotja e vazhdueshme, e cila, sipas tyre, po dëmton këtë hapësirë natyrore që dikur njihej për pastërtinë e saj dhe biodiversitetin e pasur.
“Këtu ka pasur dikur me vjet, ka pasur peshk, ka qenë i mbushur, askush nuk i ka penguar. Ka edhe shpendë që vijnë, është bukuri natyrore. Por me mbeturina, as nuk e sheh peshkun, as shpendët, asgjë, shumë ndotje po ka”, tha Shaban Berisha, banor.
“Këtë pjesë e shfrytëzojmë për ecje sportive...Zakonisht këtu dikur kishte peshkim, edhe Federata e Peshkimit e ka ndaluar këtë aktivitet, mos me shfrytëzuar këtu. Po disa njerëz të papërgjegjshëm me mbeturina siç janë duke i hedhur, atëherë peshku nuk jeton këtu. Edhe ju lutem që dikush të ndërmerr masa, përndryshe kjo bukuri që është kështu do të shkatërrohet dalëngadalë nga qytetarët e papërgjegjshëm”, tha Artem Paçarizi, qytetar.
Nga Kompania Rajonale e Mbeturinave “Çabrati” thonë se segmenti ku janë evidentuar mbeturinat ndodhet në një pjesë ku ende po zhvillohen punime për rehabilitimin dhe rregullimin e shtratit të lumit.
“Pjesa që përfshin daljen prej Gjakovës, prej Sharrësgutit siç e quajmë ne, është një pjesë e papërfunduar dhe ende është duke u punuar. Për këtë arsye ajo mbetet për një kohë derisa të përfundojnë punimet, e më pas do të pastrohet. Ndërsa pjesa e lumit Krena që përshkon qytetin pastrohet në baza javore, sipas nevojës edhe dy ose tri herë në javë. Megjithatë, secili qytetar është përgjegjës për ruajtjen e ambientit”, tha Behar Ferizi, drejtor i KRM “Çabrati”.
Edhe Komuna e Gjakovës përmes telefonit konfirmon se kjo pjesë vazhdon të jetë në proces rregullimi dhe se mirëmbajtja e rregullt do të nisë pas përfundimit të punimeve.
“Pjesa e lumit Krena te Sharrësguti është në proces të rregullimit të shtratit. Në momentin kur të përfundojë rregullimi, KRM “Çabrati” do ta marrë në menaxhim dhe do të bëjë pastrimin e zonës, ashtu siç po bëhet edhe në pjesët tjera të Krenës ku shtrati është i rregulluar”, tha Artan Haraqia, Udhëheqës i sektorit për informim në Komunën e Gjakovës.
Qytetarët kërkojnë ndërhyrje sa më të shpejtë në mënyrë që të ruhen vlerat natyrore që e kanë karakterizuar ndër vite këtë pjesë./rtk