FSK-ja realizon ushtrimin fushor validues “Ujku i Pamposhtur 01”
Në kuadër të avancimit dhe ngritjes së kapaciteteve operacionale të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Komanda e Forcave Tokësore, së bashku me njësi të kombinuara, duke përfshirë togën e IVR-së, Kompaninë Mbështetëse të RML-së, si dhe togje nga Komanda e Logjistikës dhe Policia Ushtarake, realizuan ushtrimin fushor validues “Ujku i Pamposhtur 01”.
Sipas njoftimit të FSK-së, ushtrimi u zhvillua në zonat e Aeroportit të Gjakovës dhe Babaj të Bokës, me qëllim të validimit të aftësive operacionale, rritjes së gatishmërisë luftarake, forcimit të koordinimit ndërmjet njësive dhe zhvillimit të mëtejmë të kapaciteteve për përmbushjen e detyrave në përputhje me standardet më të larta profesionale.
“Ushtrime të tilla kontribuojnë në përgatitjen dhe gatishmërinë e forcës për përmbushjen e misionit dhe detyrave të saj kushtetuese”, thuhet në njoftimin e FSK-së. /Zëri