Policia e Kosovës dhe Hungaria diskutojnë forcimin e bashkëpunimit në fushën e sigurisë

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, kolonel Gazmend Hoxha, ka pritur në një takim ambasadorin e Hungarisë në Kosovë, László István Dux, së bashku me bashkëpunëtorët e tij.

Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, gjatë takimit janë diskutuar çështje që lidhen me sigurinë publike dhe thellimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve policore të dy vendeve.

Kolonel Hoxha ka shprehur mirënjohje për vizitën e ambasadorit dhe ka theksuar gatishmërinë e Policisë së Kosovës për të vazhduar dhe forcuar bashkëpunimin me autoritetet hungareze në fusha me interes të përbashkët.

Takimi është vlerësuar si një hap i rëndësishëm në avancimin e marrëdhënieve ndërinstitucionale dhe rritjen e koordinimit në çështjet e sigurisë.