Shtrenjtojnë shërbimet, rrisin fitimet: Bankat në Kosovë shënojnë nivel rekord të të hyrave nga komisionet

Bankat në Kosovë kanë shënuar nivel rekord të të hyrave nga tarifat për shërbime bankare. Rritja e tarifave për disa nga shërbimet më bazike bankare, duket se ka rezultuar me rritje të të hyrave nga komisionet.

Buletini Ekonomik ka analizuar të hyrat nga shërbimet për pesë bankat kryesore në Kosovë.

Sipas të dhënave të publikuara në raportet tremujore të vetë bankave, të ardhurat e këtyre pesë bankave vetëm nga komisionet arritën në 24.6 milionë euro në tremujorin e parë të këtij viti. Në të njëjtën periudhë, shpenzimet nga komisionet ishin pak mbi 12 milionë euro.

Nga kjo, pesë bankat kryesore realizuan 12.6 milionë euro fitim neto nga komisionet vetëm gjatë tremujorit të pare të vitit 2026.

Nga bankat e përfshira në këtë krahasim, Raiffeisen Bank kishte të hyrat më të larta nga komisionet, me 7.4 milionë euro, ndërsa shpenzimet nga komisionet i kishte 4.7 milionë euro. Fitimi neto i saj nga komisionet rezulton 2.6 milionë euro.

TEB kishte 5.5 milionë euro të hyra nga komisionet dhe 2.6 milionë euro shpenzime. Nga kjo diferencë, fitimi neto nga komisionet për TEB arriti në 2.9 milionë euro, më i larti në mesin e pesë bankave të krahasuara.

NLB Banka realizoi 4.5 milionë euro të hyra nga komisionet, ndërsa shpenzimet nga komisionet ishin 1.8 milionë euro. Fitimi neto nga komisionet për këtë bankë është 2.7 milionë euro.

ProCredit Bank kishte 4 milionë euro të hyra nga komisionet, prej të cilave 2.5 milionë euro shpenzime. Fitimi neto nga komisionet për ProCredit është 1.5 milionë euro.

Ndërkaq, BKT realizoi 3 milionë euro të hyra nga komisionet, ndërsa shpenzimet nga komisionet ishin vetëm 181 mijë euro. Kjo bëri që fitimi neto i BKT-së nga komisionet të arrijë në 2.8 milionë euro.

Në total, këto pesë banka — NLB, Raiffeisen, BKT, ProCredit dhe TEB — arkëtuan mbi 24.6 milionë euro nga tarifat dhe komisionet bankare gjatë tre muajve të parë të vitit, ndërsa pas zbritjes së shpenzimeve përkatëse, fitimi neto nga komisionet është 12.6 milionë euro.

Këto të dhëna tregojnë se të hyrat nga tarifat për shërbime bankare vazhdojnë të jenë një burim i rëndësishëm i të ardhurave për sektorin bankar në Kosovë, krahas të ardhurave nga interesi dhe produktet kreditore.

Rritja e të hyrave nga kjo kategori vjen si pasojë e rritjes së tarifave për shërbime bankare.

Buletini Ekonomik ka gjetur se rritje të tarifave ka edhe për shërbime më bazike, siç është tarifa për tërheqje të mjeteve në bankomat, ku nga 15 cent sa ka qenë, ka arritur deri në 75 cent për çdo tërheqje.

Shumica e bankave kanë rritur edhe tarifën për mirëmbajtje mujore të llogarisë. /Buletini Ekonomik/