Rasti “Subvencionet”, mbrojtja kërkon përjashtimin e kryetares së trupit gjykues

Në seancën e së mërkurës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin “Subvencionet”, mbrojtësi i të akuzuarit Luan Statovci, avokati Naim Rudari, kërkoi përjashtimin e kryetares së trupit gjykues, gjykatëses Medie Bytyqi.

Procedura në këtë rast ishte bashkuar për 28 të akuzuar, por për dy është veçuar procedura kurse gjashtë kanë arritur marrëveshje për pranim fajësie. Tani në këtë rast po akuzohen: Hasan Maxharraj, Luan Statovci, Salih Statovci, Kumrije Maxharraj, Kujtim Zariqi, Sadat Shkodra, Afërdita Gjokaj, Bejtullah Pira, Feriz Jonuzi, Alban Novosella, Berat Nika, Lulzim Hajdaraj, Bajram Gashi, Artan Elezi, Bashkim Mani, Halil Krasniqi, Almir Abdurrahmani, Ingrit Kuqi, Liridon Fandaj dhe Rasim Zekaj.

Kërkesa për përjashtimin e gjykatëses Bytyqi erdhi pasi që avokati Rudari pretendoi se vendimin për shtyrje të seancës, trupi gjykues e kishte marrë para fillimit të seancës, duke shtuar se një vendim i tillë u lexua nga gjykatësja Bytyqi dhe nuk u konstatua në procesverbal.

“… trupi gjykues u konsultua mes vete, por kryetarja e trupit gjykues e lexoi në shkresë vendimin dhe vlerësimin e dokumentacionit mjekësor, e që në fakt ajo që e lexoi kryetarja e trupit gjykues nuk u shkrua në procesverbal në kohë reale, por ajo besohet tani që nëse është shkruar në procesverbal, është shkruar në zyrë”, ka deklaruar avokati Rudari.

Avokati shtoi se “ajo që ndodhi në gjykim rezulton se vendimi i trupit gjykues është pas pranimit të qëndrimeve tona lidhur me shtyrjen e seancës, por në fakt po del që qëndrimet tona janë vetëm për sy e faqe sepse vendimi është marrë në zyrë”.

Andaj, duke u bazuar në këto, avokati Rudari tha se do të parashtrojë edhe kërkesë me shkrim duke i bashkëngjitur edhe prova konkrete.

“Duke marrë për bazë këtë proces të gjykimit të shkurtër që kemi filluar tani, neve na është krijuar frikë edhe që të ngrisim dorën dhe të paraqesim pikëpamjet tona lidhur me këtë proces gjyqësor”, deklaroi avokati Rudari.

Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit Almir Abdurrahmani, avokati Faton Fetahu shprehu pikëpamjet e tij mospajtuese në raport me propozimin e avokatit Rudari për përjashtim të kryetares së trupit gjykues, pasi që konsideroi se nuk janë përmbushur asnjë nga bazat e nenit 39 të Kodit të Procedurës Penale.

Fillimisht në seancë, kryetarja e trupit gjykues, Medie Bytyqi, njoftoi palët se nga mbrojtësi i të akuzuarit Hasan Maxharraj, avokati Arianit Koci ka pranuar kërkesë për shtyrje të seancës së sotme dhe seancave tjera të caktuara më herët, me arsyetimin se i akuzuari për shkaqe shëndetësore nuk mund të prezantojë në këto seanca.

Lidhur me këtë, prokurori i rastit, Rafet Halimi tha se dokumentet mjekësore të bashkëngjitura duken të jenë udhëzime të thjeshta dhe nuk paraqitet ndonjë arsye e veçantë që i pamundëson të akuzuarit pjesëmarrjen në seancë.

Po ashtu, mbrojtësi i të akuzuarit Luan Statovci, avokati Naim Rudari tha se pavarësisht që secili nga ta dëmtohet nga shtyrjet e seancave, megjithatë marrë parasysh faktin se i njëjti ka parashtruar kërkesë për shtyrje të seancës dhe ka bashkëngjitur prova, propozoi që të shtyhet seanca e sotme dhe seancat tjera të caktuara.

Në këtë seancë prezent nuk ishte as i akuzuari Salih Statovci, për të cilin mbrojtësi i tij avokati Emrush Kastrati tha se i njëjti po ashtu mungon për shkaqe shëndetësore.

Lidhur me këto rrethana, gjykatësja Bytyqi tha se Gjykata vlerëson se nuk janë plotësuar kushtet për vazhdimin e shqyrtimit gjyqësor dhe se seancat tjera do të mbahen ashtu siç janë caktuar paraprakisht.

Gjithashtu, ajo tha se do të nxjerrë urdhëresë për sjelle me shoqërim për sigurimin e të akuzuarve Hasan Maxharraj dhe Salih Statovci për seancën e radhës.

Megjithatë, pas zhvillimeve rreth kërkesës për përjashtim nga lënda, gjykatësja Bytyqi tha se anulohen seancat e radhës deri në marrjen e vendimit nga kryetari i Gjykatës Themelore lidhur me kërkesën për përjashtim nga avokati Rudari, si dhe anuloi nxjerrjen e urdhëresës për sigurimin e të akuzuarve Hasan Maxharraj dhe Salih Statovci për sjelljen me shoqërim, pasi kishin munguar në seancën e sotme.

Ndryshe, në seancën e mbajtur më 10 shkurt 2026, u deklaruan të pafajshëm të akuzuarit: Hasan Maxharraj, Luan Statovci, Salih Statovci, Kumrije Maxharraj, Kujtim Zariqi, Sadat Shkodra, Afërdita Gjokaj, Bejtullah Pira, Feriz Jonuzi, Alban Novosella, Berat Nika, Lulzim Hajdaraj, Bajram Gashi, Artan Elezi, Bashkim Mani, Halil Krasniqi, Almir Abdurrahmani, Ingrit Kuqi, Liridon Fandaj dhe Rasim Zekaj.

Kurse, u veçua procedura për dy të akuzuarit Enver Ibishi dhe Musa Nivokazi. Në anën tjetër, të akuzuarit Veton Prekazi, Hazir Metaj, Valdete Ismajli, Pajtim Krasniqi, Afrim Abazaj dhe Salih Ilazi, kanë arritur marrëveshje për pranim fajësie me Prokurorinë.

Ndryshe, procedura penale në këtë rast është bashkuar në një lëndë të vetme të rasteve të subvencioneve për 28 të akuzuarit: Hasan Maxharraj, Luan Statovci, Salih Statovci, Afrim Abazaj, Veton Prekazi, Kumrije Maxharraj, Kujtim Zariqi, Sadat Shkodra, Afërdita Gjokaj, Bejtullah Pira, Valdete Ismaili, Feriz Jonuzi, Alban Novosella, Berat Nika, Lulzim Hajdaraj, Musa Nivokazi, Bajram Gashi, Pajtim Krasniqi, Enver Ibishi, Artan Elezi, Bashkim Mani, Salih Ilazi, Halil Krasniqi, Almir Abdurrahmani, Ingrit Kuqi, Liridon Fandaj, Rasim Zekaj dhe Hazir Metaj.

Në cilat raste të subvencioneve ngarkoheshin 28 të akuzuarit para se lënda të bashkohej në një të vetme?

Nga 28 të akuzuarit e lartpërmendur, disa prej tyre janë pjesë e më shumë se një rasti të aktakuzave të ndara të subvencioneve. Në këtë rast, janë bashkuar në një lëndë rastet “Subvencionet 2”, “Subvencionet 3”, “Subvencionet 4”, “Subvencionet 5” dhe “Subvencionet 6”.

Kështu, pjesë e aktakuzës në rastin “Subvencionet 1” ishin: Hasan Maxharraj, Luan Statovci, Salih Statovci, Afrim Abazaj, Sadat Shkodra, Berat Nika, Lulzim Hajdaraj, Musa Nivokazi, Almir Abdurrahmani.

Në rastin “Subvencionet 2” janë të akuzuarit: Luan Statovci, Sadat Shkodra, Berat Nika, Rasim Zekaj dhe Hazir Metaj.

Në rastin “Subvencionet 3” janë të akuzuarit: Hasan Maxharraj, Luan Statovci, Veton Prekazi, Salih Statovci, Afrim Abazaj dhe Kumrije Maxharraj.

Në rastin “Subvencionet 4” janë të akuzuarit: Hasan Maxharraj, Luan Statovci, Berat Nika, Musa Nivokazi, Bajram Gashi, Pajtim Krasniqi dhe Lulzim Hajdaraj.

Në rastin “Subvencionet 5” janë të akuzuarit: Kujtim Zariqi, Luan Statovci, Sadat Shkodra, Afërdita Gjokaj, Bejtullah Pira, Valdete Ismaili, Feriz Jonuzi dhe Alban Novosella.

Në rastin “Subvencionet 6” janë të akuzuarit: Liridon Fandaj, Enver Ibishi, Luan Statovci, Berat Nika, Artan Elezi, Bashkim Mani, Salih Statovci, Almir Abdurrahmani, Ingrit Kuqi, Halil Krasniqi dhe Salih Ilazi.

Aktakuza në rastin “Subvencionet 1” ngarkon 21 të akuzuar:

Në shkurt 2022, PSRK-ja kishte ngritur aktakuzë ndaj 21 të pandehurve, në rastin “Subvencionet 1”, të cilët janë: Luan Statovci, Sadat Shkodra, Salih Statovci, Berat Nika, Hasan Maxharraj, Kushtrim Zogaj, Habibe Dauti, Alban Bushati, Jeton Sylaj, Lulzim Hajdaraj, Musa Nivokazi, Almir Abdurrahmani, Salih Kelmendi, Bekim Shala, Fuat Morina, Dukagjin Mavraj, Flamur Zeqiri, Daut Kabashi, Kastriot Berisha, Afrim Abazaj dhe Florim Nimanaj.

Aktakuza e ndryshuar më 4 prill 2022 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ngarkon Luan Statovcin, Sadat Shkodrën, Salih Statovcin, Berat Nikën, Hasan Maxharrajn, Kushtrim Zogajn, Jeton Sylajn, Lulzim Hajdarajn, Musa Nivokazin, Almir Abdurrahmanin, Salih Kelmendin, Fuat Morinën, Afrim Abazajn dhe Florim Nimanajn me veprat penale “Marrje ryshfeti”, “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar”, “Mashtrim me subvencione” e të tjera. Detajet nga aktakuza mund t’i gjeni: KËTU.

Aktakuza në rastin “Subvencionet 2” ngarkon 15 të akuzuar:

Sipas aktakuzës së 22 dhjetorit 2022, 15 të akuzuarit në rastin “Subvencionet II”, Luan Statovci, Blerim Mulliqi, Bekim Bruçi, Sedat Shkodra, Berat Nika, Gëzim Morina, Rasim Zekaj, Afrim Mehmetaj, Donard Draga, Dukagjin Deda, Ramdan Zeqiraj, Hazir Metaj, Sadri Berisha, Hysni Morina, dhe Pashk Krasniqi, ngarkohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare, marrje ryshfeti, dhënie ryshfeti, mashtrim me subvencione dhe ushtrim ndikimi. Dosjen e plotë të Prokurorisë në rastin “Subvencionet II”, mund ta gjeni KËTU.

Aktakuza në rastin “Subvencionet 3” ngarkon 10 të akuzuar:

Në aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) për rastin “Subvencionet 3”, për veprat penale mashtrim me subvencione, marrje e dhënie ryshfeti dhe ndihmë në kryerjen e këtyre veprave, akuzohen Hasan Maxharraj, Luan Statovci, Veton Prekazi, Halit Avdijaj, Salih Statovci, Bejtush Gashi, Afrim Abazaj, Arbër Avdijaj, Sadush Kabashi dhe Kumrije Maxharraj. Dosjen e plotë për këtë rast mund ta lexoni duke klikuar KËTU.

Aktakuza në rastin “Subvencionet 4” ngarkon 10 të akuzuar:

Prokuroria e Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 23 nëntor 2023 ka ngritur aktakuzë ndaj 10 personave, prej tyre tetë zyrtarë dhe dy qytetarë, në rastin e njohur si “Subvencioni IV”.

Të akuzuarit në këtë rast janë: Hasan Maxharraj, Luan Statovci, Berat Nika, Sabit Shkodra, Musa Nivokazi, Bajram Gashi, Pajtim Krasniqi, Halit Berisha, Gjon Musolli dhe Lulzim Hajdari. Sipas aktakuzës 10 të akuzuarit të gjithë së bashku Prokuroria i ngarkon se kanë kryer veprat penale “Marrje ryshfeti”, “Ushtrim ndikimi”, “Mashtrim në detyrë”, “Ndihmë në veprën penale marrje ryshfeti”, “Dhënie ryshfeti”, si dhe “Mashtrim me subvencione”. Dosjen e plotë e gjeni: KËTU.

Aktakuza në rastin “Subvencionet 5” ngarkon 18 të akuzuar:

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 21 mars 2024 ka ngritur aktakuzë në rastin “Subvencionet V” ndaj 18 të akuzuarve lidhur me keqpërdorimet me subvencione, duke i ngarkuar me veprat penale “Ushtrim ndikimi”, “Mashtrim me subvencione”, “Marrje ryshfeti”, “Dhënie ryshfeti” dhe “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Sipas aktakuzës të akuzuar në këtë rast janë tetë zyrtarët: Kujtim Zariqi, Luan Statovci, Sadat Shkodra, Kastriote Bajrami-Sejdiu, Aferdita Gjokaj, Adushe Ukshini, Valon Hoti dhe Bejtullah Pira. Si dhe 10 qytetarët: Burim Selmani, Granit Avdyli, Valdete Ismaili, Feriz Jonuzi, Faruk Ymeri, Avdullah Terstena, Blerton Ostergllava, Avdyl Sejdiu, Muzafer Maliqi dhe Alban Novosella.

Aktakuza në rastin “Subvencionet 6” ngarkon 16 të akuzuar:

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 12 prill 2024 ka ngritur aktakuzë ndaj 16 personave: Liridon Fondaj, Enver Ibishi, Luan Statovci, Berat Nika, Arton Elezi, Bashkim Mani, Salih Statovci, Almir Abdullahu, Ingrit Kuqi, Halil Krasniqi, Salih Ilazi, Festim Olluri, Milit Berisha, Halit Berisha, Sadat Qazimi dhe Fatmir Shala.

Aktakuza në këtë rast ngarkon të akuzuarit me veprat penale “Marrje ryshfeti”, “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar”, “Mashtrim në detyrë”, “Falsifikim i dokumentit zyrtar”, “Pengim i të provuarit apo procedurës penale”, “Dhënie ryshfeti”, “Ndihmë në marrje ryshfeti”, “Falsifikim i dokumentit”, “Mashtrim me subvencione”, “Ndihmë në mashtrim me subvencione” dhe “Ndihmë në falsifikim të dokumenteve”. /BetimipërDrejtësi