Hamza në Gjilan: Pagat do t’i rrisim 50 për qind, ne e mbajmë fjalën

Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për kryeministër, Bedri Hamza, ka premtuar në tubimin elektoral në Gjilan se qeveria e tij do të realizojë rritjen prej 50 për qind të pagave për të gjithë punonjësit që paguhen nga buxheti i shtetit.

Hamza tha se kjo rritje do të përfshijë punëtorët e arsimit, shëndetësisë, sigurisë, administratës publike dhe sektorëve të tjerë publikë.

“Kemi me i rrit pagat 50 për qind për të gjithë; mësues, arsimtarë, profesorë, mjekë, personel shëndetësor, zjarrfikës, ushtarë, shërbyes civilë, të gjithë ata që realizojnë paga përmes buxhetit të Kosovës”, tha Hamza.

Ai theksoi se, pavarësisht faktit se vendi ndodhet në fushatë zgjedhore, qytetarët mund t’u besojnë zotimeve të PDK-së.

“E di që jemi në fushatë zgjedhore, por ne dallojmë prej tjerëve. Kur premtojmë, ne e mbajmë fjalën”, deklaroi Hamza.