Vendet e preferuara të Dua Lipës në Kosovë, Google Maps sjell listën
Google Maps ka nisur një bashkëpunim me platformën globale editoriale dhe kulturore “Service95” dhe themeluesen e saj, këngëtaren shqiptare me famë botërore, Dua Lipa.
Nga dita e djeshme, si pjesë e këtij bashkëpunimi, Dua Lipa po ndan udhëzuesin e saj personal të udhëtimit direkt në Google Maps, duke sjellë një listë të personalizuar për destinacione të ndryshme në botë.
Dua dhe “Service95” kanë publikuar 12 lista të përbashkëta në Maps, të mbushura me vendet e saj të preferuara anembanë botës. Secila prej tyre përfshin edhe fotografi dhe rekomandime personale të këngëtares.
Sipas njoftimit, listat përfshijnë sugjerime për përvoja të ndryshme, nga ushqimi i natës në Mexico City deri te vendet romantike në Paris për takime nën dritën e qirinjve.
Në këto lista është përfshirë edhe vendlindja e saj, Kosova, me rekomandime të veçanta për kryeqytetin Prishtinë.
Nga Prishtina, Dua Lipa ka përzgjedhur disa lokacione, përfshirë Galerinë Kombëtare të Arteve dhe Tregun e Gjelbër.