Gjykata Kushtetuese rrëzon vendimin e Supremes për tregun e lirë të energjisë

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka publikuar aktgjykimin në rastin KI322/25, të parashtruar nga Fidan Muhaxhiri Biznes individual, duke konstatuar shkelje të së drejtës për qasje në gjykatë dhe duke shpallur të pavlefshëm një vendim të Gjykatës Supreme lidhur me tregun e lirë të energjisë elektrike.

Në vendimin unanim, Kushtetuesja ka vendosur: ta shpallë kërkesën të pranueshme, të konstatojë shkelje të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, të anulojë Aktvendimin e Gjykatës Supreme [P.A. nr. 24/2025] të 15 shtatorit 2025 dhe ta kthejë çështjen për rivendosje në Supreme.

Rasti lidhet me padinë e biznesit kundër Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), përmes së cilës ishte kërkuar shfuqizimi i Udhëzuesit për daljen e konsumatorëve në tregun e lirë të energjisë elektrike (UEE).

Parashtruesi kishte pretenduar se UEE-ja kishte devijuar nga dispozitat e Ligjit për Energji Elektrike, duke e detyruar biznesin të largohej nga shërbimi universal i furnizimit me energji dhe të kalonte në tregun e lirë.

Gjykata Supreme e kishte hedhur poshtë padinë si të palejueshme, me arsyetimin se udhëzuesi i kontestuar kishte vetëm karakter informativ dhe nuk përbënte normë juridike.

Megjithatë, Kushtetuesja vlerësoi se Supreme nuk kishte shqyrtuar nëse përmbajtja e UEE-së “shtrembëronte” nenin 37.2 të Ligjit për Energji Elektrike, i cili përcakton kriteret për furnizim universal me energji.

Sipas parashtruesit, ligji mjafton të plotësohet vetëm njëri nga kriteret – qarkullimi vjetor deri në 10 milionë euro ose jo më shumë se 50 punonjës – për të gëzuar të drejtën e furnizimit universal. Ndërsa UEE-ja, sipas tij, kishte interpretuar se tejkalimi i vetëm njërit kriter mjafton për dalje në tregun e lirë.

Gjykata Kushtetuese theksoi se gjatë vlerësimit të rasteve të tilla nuk duhet të merret parasysh vetëm emërtimi formal i aktit, por edhe përmbajtja dhe efektet juridike që ai prodhon.

Në aktgjykim thuhet se mosshqyrtimi i padisë nga Gjykata Supreme paraqet “formalizëm të skajshëm” në interpretimin e ligjit dhe mosvlerësim të pasojave reale ekonomike që udhëzuesi ka shkaktuar për biznesin.

Për rrjedhojë, Kushtetuesja konstatoi se parashtruesit i ishte cenuar e drejta për qasje në gjykatë dhe urdhëroi që çështja të rikthehet për rivendosje në Gjykatën Supreme.