Salahu i jep lamtumirën Liverpoolit

Mohamed Salah ka përshëndetur zyrtarisht tifozët e Liverpoolit, duke i dhënë fund një prej periudhave më të suksesshme individuale në historinë moderne të klubit.

Sulmuesi egjiptian reagoi emocionalisht pas ndeshjes së fundit me fanellën e “The Reds”, duke e cilësuar atë si “natën më të gjatë të jetës”.

Pas përfundimit të sezonit dhe ndeshjes ndaj Brentfordit, Salah publikoi në Instagram një fotografi nga stadiumi “Anfield”, ku përshëndeste tifozët për herë të fundit.

“Nata më e gjatë e jetës sime… Faleminderit për gjithçka edhe një herë”, shkroi ai.

Me këtë mesazh prekës, 33-vjeçari i dha fund aventurës së tij në Liverpool pas nëntë vitesh të jashtëzakonshme.

Salah iu bashkua klubit nga Roma në verën e vitit 2017 për rreth 34 milionë funte dhe shumë shpejt u shndërrua në simbolin kryesor të suksesit të Liverpoolit në Angli dhe Evropë.

Gjatë qëndrimit të tij në “Anfield”, ai fitoi trofe të shumtë vendorë dhe ndërkombëtarë, ndërsa sezoni i fundit u mbyll me triumfin në Premier League.

Egjiptiani largohet si golashënuesi më i mirë i Liverpoolit në historinë e Premier League, me 191 gola, duke thyer rekorde të shumta dhe duke qenë vazhdimisht një nga lojtarët më dominues në futbollin anglez.

Tifozët e Liverpoolit i rezervuan një lamtumirë emocionale, duke e nderuar si një legjendë moderne të klubit.

Ndërkohë, e ardhmja e Salah mbetet ende e paqartë. Raportimet flasin për një transferim të mundshëm në Arabinë Saudite ose në MLS në Shtetet e Bashkuara, por interesim për të kanë shfaqur edhe klube të mëdha evropiane.

Për momentin, Salah nuk ka zbuluar destinacionin e ardhshëm, ndërsa pritet të rikthehet në Egjipt për përgatitjet me kombëtaren para Kupës së Botës 2026. /GazetaExpress/