Tajvani i interesuar për të investuar në Kosovë, Chihchung: Duhet të kemi më shumë shkëmbim

Ndonëse me kontekst të ndryshëm historik e politik, Tajvani dhe Kosova kanë një të përbashkët. Të dy vendet ndajnë kufijtë e tyre me shtete fqinje që kanë pretendime territoriale e të cilat konsiderohen në vazhdimësi kërcënim për sigurinë.

Megjithatë ndonëse në presion të vazhdueshëm nga fqinjët si Kina e Serbia, të dy vendet kanë vazhduar ngritjen e kapaciteteve të tyre ekonomike dhe në mbrojtje, ndonëse në nivele të ndryshme.

Por cili është raporti në mes të dy shteteve dhe si mund të avancohet më shumë sa i përket bashkëpunimit Tajvan-Kosovë?

Zëvendësministri i Jashtëm i Tajvanit, François Chihchung, ka thënë, se shteti tajvanez është shumë i interesuar për të avancuar bashkëpunimin ekonomik me Kosovën, si një nga mënyrat më të mira. Kjo pasi sipas tij, vendosja e raporteve diplomatike nuk është e mundur për momentin.

“Ne jemi duke bërë përpjekje që të gjejmë se si mund të punojmë më shumë sa i përket bashkëpunimit ekonomik. Bashkëpunimi ekonomik është gjithmonë mënyra më e mirë. Me Kosovën jemi duke menduar që të punojmë më shumë me ju dhe nuk mendoj që për momentin njohja diplomatike është e mundur”, ka thënë Chihchungi.

Ai ka thënë se Tajvani duhet të kuptojë situatën ekonomike të Kosovës, në mënyrë që sektori privat tajvanez të investojnë në Kosovë.

“Bashkëpunimi ekonomik mbetet një mundësi e fuqishme dhe një vullnet i fuqishëm politik nga ana e Tajvanit. Me Kosovën, duhet të kemi më shumë shkëmbim. Duhet të kuptojmë situatën e tuaj ekonomike, meritoni që sektori privat të shkojë në Kosovë për investime dhe mendoj se njerëzit nga Tajvani do të shkojnë në Kosovë për të investuar”, ka thënë ai.

Tajvani është një prej vendeve ku kosovarët mund të udhëtojnë pa viza. Nga 1 dhjetori 2024, Tajvani kishte vendosur për heqje të regjimit të vizave, duke njohur pasaportën kosovare. /express