Në dy raste, në Prishtinë arrestohen nëntë persona për rrëmbim dhe armëmbajtje pa leje

Policia e Kosovës ka arrestuar gjithsej nëntë persona në dy raste të ndara në Prishtinë, nën dyshimin për rrëmbim, armëmbajtje pa leje dhe posedim të narkotikëve.

Në rastin e parë, katër shtetas të huaj janë arrestuar më 19 maj 2026, ndërsa gjatë kontrollit në banesën e tyre policia ka gjetur dhe konfiskuar një armë zjarri me 23 fishekë, tetë telefona mobilë, dy pasaporta të huaja, si dhe 2.1 gramë substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë. Me urdhër të prokurorit, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.

Ndërkaq, në një rast tjetër që lidhet me rrëmbim dhe keqtrajtim fizik, policia ka arrestuar pesë persona – një femër dhe katër meshkuj kosovarë – nën dyshimin se kanë rrëmbyer një person, të cilin e kishin mbajtur për një kohë në një shtëpi ku dyshohet se e kanë maltretuar fizikisht dhe i kanë marrë edhe një veturë, transmeton Zeri.info.

Gjatë bastisjes në këtë rast policia ka konfiskuar një armë pistoletë me një fishek dhe 2 gramë marihuanë. Me vendim të prokurorit, katër prej të dyshuarve janë dërguar në mbajtje, ndërsa e dyshuara femër është liruar në procedurë të rregullt. /Zëri