Arrestohen dy persona në Pejë dhe Istog, policia u konfiskon armë dhe municion
Policia në Pejë ka bërë të ditur se ka arrestuar dy persona në rajonin e Pejës, pasi gjatë kontrolleve u janë gjetur armë dhe municion.
Sipas njoftimit të Policisë, rasti i parë ka ndodhur gjatë ditës së djeshme, rreth orës 18:50, në rrugën “Konferenca e Bujanit” në Pejë, raporton Zeri.info.
“Patrulla policore ka ndaluar një person të dyshuar dhe gjatë kontrollit në çantën e tij të krahut ka gjetur një pistoletë, një karikator dhe 17 fishekë të kalibrit 9×19 mm, të cilat janë sekuestruar”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Ndërsa rasti i dytë, po ashtu sipas njoftimit të PK-së, është regjistruar gjatë ditës së djeshme, rreth orës 22:50, në fshatin Banjë të Istogut.
“Patrulla policore kishte ndaluar një automjet dhe gjatë kontrollit në bagazh është gjetur një pistoletë me një karikator, shtatë fishekë dhe një sprej OC. Mjete janë sekuestruar nga policia”, thuhet në njoftimin e PK-së.
Sipas njoftimit të Policisë, thuhet se të dyshuarit në të dy rastet janë arrestuar dhe intervistuar, ndërsa pas konsultimit me prokurorin e Shtetit janë liruar në procedurë të rregullt.
Policia me këtë rast ka bërë të ditur se në total janë konfiskuar dy pistoleta, dy karikatorë, 24 fishekë dhe një sprej OC. /Zëri