Kërkuan dhe morën para nga qytetarët, arrestohen dy mjekë të Spitalit të Vushtrrisë

Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka bërë të ditur se janë arrestuar dy mjekë të dyshuar të spitalit në Vushtrri, me iniciale E.S. dhe V.R., nën dyshimin se kanë kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit”.

Sipas dyshimeve fillestare, i dyshuari E.S. në tri raste, ndërsa i dyshuari V.R. në pesë raste, kanë kërkuar dhe pranuar para nga qytetarët për ofrimin e shërbimeve shëndetësore, raporton Zeri.info.

“Me vendim të prokurorit, të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh, ndërsa brenda afatit ligjor do të paraqitet kërkesa për caktimin e masës së sigurisë për të ndaluarit”, thuhet në njoftimin e PK-së.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë mbetet e përkushtuar në luftimin e korrupsionit, keqpërdorimit të detyrës zyrtare dhe çdo forme tjetër të kriminalitetit që cenon sundimin e ligjit, sigurinë publike dhe besimin e qytetarëve në institucionet publike. /Zëri