Zbulohet një laborator i drogës nën kotecin e pulave në Shqipëri

Një laborator i fshehtë për kultivimin dhe përpunimin e lëndëve narkotike është zbuluar në fshatin Vreshtas të Bashkisë Maliq në Shqipëri.

Ky operacion u zhvilluar nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë dhe Seksionin për Hetimin e Narkotikëve, shkruan A2cnn.

Ambienti nëntokësor ishte ndërtuar në mënyrë të fshehtë poshtë një koteci shpendësh dhe përdorej për kultivimin, tharjen dhe përpunimin e bimëve narkotike të llojit Kanabis sativa.

Autoritetet bëjnë të ditur se për këtë rast është arrestuar shtetasi me inicialet K.L., i dyshuar për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, ndërsa një person tjetër është shpallur në kërkim dhe po punohet për lokalizimin e tij.

Sipas hetimeve paraprake, laboratori ishte ndërtuar me kushte të sofistikuara dhe ishte i organizuar në mënyrë profesionale për kultivimin e drogës.

Hetimet zbuluan se hyrja në ambient bëhej përmes një strukture të improvizuar, e cila të çonte në një dhomë të ndërtuar nën tokë.

Në laborator u gjetën llampa speciale për kultivimin e Kanabis-it, pajisje për kontrollin e temperaturës dhe lagështirës, tubacione për qarkullimin e ajrit dhe sisteme ujitjeje që shërbenin për mirëmbajtjen e bimëve narkotike. Hetuesit zbuluan gjithashtu zona të posaçme të përshtatura për tharjen e Kanabis-it, ku bimët ishin varur në struktura të improvizuara.

Gjatë kontrollit të kryer në ambientin nëntokësor, autoritetet sekuestruan rreth 5.4 kilogramë lëndë të dyshuar narkotike Kanabis sativa, një sasi të vogël të dyshuar kokainë, peshore elektronike, sisteme ventilimi dhe ndriçimi, si dhe një armë në formë pistolete me bombol gazi të kompresuar.