Louise Arbour emërohet Guverantore e Përgjithshme në Kanada

Kryeministri i Kanadasë, Mark Carney, njoftoi këtë javë se ish-gjyqtarja e Gjykatës Supreme, Louise Arbour, do të jetë Guvernatorja e ardhshme e Përgjithshme nga korriku.

Arbour, 79-vjeçe, është një nga ekspertët më të mirë ligjorë të kohës së saj dhe do të zëvendësojë Mary Simon që po pensionohet, dhe që ishte guvernatorja e përgjithshme e parë indigjene. Mandati i saj pesëvjeçar përfundon së shpejti, raporton media kanadeze “cbc”, transmeton Klankosova.tv.

“Louise Arbour do të përfaqësojë më të mirën e Kanadasë për kanadezët dhe botën”, tha Carney në një konferencë për media në Otavë, të martën e kësaj jave.

Por, kush është Louise Arbour?

Arbour, e lindur në Montreal, është avokate e njohur, prokurore dhe ish-juriste e Gjykatës Supreme të Kanadasë, pos roleve tjera.

Ajo ndihmoi në ndjekjen penale të krimeve të luftës si kryeprokurore e Tribunalit Penal Ndërkombëtar për Ruandën dhe e Tirubalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë në të ’90-tat.

Në Hagë, më 27 maj 1999, Arbour, në cilësinë e Kryeprokurores së Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, njoftoi publikisht aktakuzën që kishte dorëzuar pesë ditë më parë nën urdhrin e mos-zbulimit kundër Sllobodan Millosheviqit dhe katër individëve të tjerë për krime kundër njerëzimit.

Akuzat në 66 pika ishin si vijon: Gjenocid; bashkëpunim në gjenocid; dëbim; vrasje; përndjekje mbi baza politike, racore ose fetare; akte çnjerëzore/transferim me forcë; shfarosje; burgosje; torturë; vrasje me dashje; mbyllje e paligjshme; shkaktim me dashje i vuajtjeve të mëdha; dëbim ose transferim i paligjshëm; shkatërrim dhe përvetësim i përhapur i pronës, i pajustifikuar nga domosdoshmëria ushtarake dhe i kryer në mënyrë të paligjshme dhe arbitrare; trajtim mizor; plaçkitje e pronës publike ose private; sulme ndaj civilëve; shkatërrim ose dëmtim me dashje i monumenteve historike dhe institucioneve të dedikuara arsimit ose fesë; sulme të paligjshme mbi objekte civile. Akuza të mëtejshme për shkeljen e ligjeve ose zakoneve të luftës, shkelje të rënda të Konventave të Gjenevës në Kroaci dhe Bosnjë, si dhe gjenocid në Bosnjë, u shtuan në vitin 2001.

Arbour ka shërbyer edhe si Komisionere e Lartë e OKB-së për të Drejtat e Njeriut dhe ka ndihmuar në mbajtjen përgjegjës të shteteve për shkelje të të drejtave të njeriut.

Me rastin e emërimit të saj si guvernatorja e 31-të e përgjithshme e Kanadasë, ajo foli për rëndësinë e rolit.

“Do të jem përfaqësuese e Kurorës në aranzhimet kushtetuese që i kanë shërbyer Kanadasë jashtëzakonisht mirë përgjatë historisë sonë, e edhe më shumë në historinë e re”, tha ajo.

Çfarë është guvernatori i përgjithshëm?

Kanadaja është një monarki kushtetuese, që do të thotë se vendi ende ka lidhje me monarkët (p.sh., mbretërit dhe mbretëreshat) e Familjes Mbretërore Britanike.

Aktualisht, Mbreti Charles III është Mbreti i Kanadasë dhe kreu i shtetit të vendit. Ai jeton në Angli.

Guvernatori i Përgjithshëm është përfaqësuesi i Mbretit në Kanada.

Roli daton më shumë se 400 vjet më parë. Ai ka evoluar me kalimin e kohës, por sot përgjegjësitë e tij përqendrohen kryesisht rreth:

Kryerjes së detyrave kushtetuese

Shërbimit si komandant i përgjithshëm i Kanadasë.

Përfaqësimit të Kanadasë brenda dhe jashtë vendit.

Inkurajimit të përsosmërisë dhe bashkimit të kanadezëve.