Abdixhiku: Kush është kundër bashkimit në LDK, është kundër vetë partisë

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka deklaruar se të gjithë anëtarët e partisë do të jenë pjesë e listës së përbashkët zgjedhore të LDK-së, ndërsa ka theksuar se kushdo që është kundër bashkimit në parti, sipas tij, është kundër vetë LDK-së.

Pas mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, Abdixhiku u pyet për mungesën e anëtarëve Avdullah Hoti dhe Hykmete Bajrami, të cilët kishin kundërshtuar rikthimin e presidentes Vjosa Osmani në parti.

“Ata janë pjesë e listës garuese tonën, do të vazhdojnë angazhimin në procesion. Jo në të gjitha takimet mund të marrin pjesë të gjithë njerëzit e LDK-së, por ata janë pjesë e listës së LDK-së. Po nuk mund të jesh edhe pjesë e listës edhe të jesh kundër. A po më kuptoni? Nuk ka logjikë. Në qoftë se je kundër dikujt, del përballë, jo bashkë. Pra jemi bashkë”, tha ai.

Ai sërish ritheksoi se po punohet për LDK-në dhe se sipas tij, ata që nuk e duan bashkimin nuk e duan as subjektin.

“Besoj që do ta ndjejnë se kur t’je në listë të LDK-së, kur të prijë Vjosa dhe kur e ke Vjosën për kandidate për Presidente dhe e ke kryetarin e partisë tënde për kandidat për Kryeministër, do të angazhohesh me të gjithë për sa më shumë unitet e për bashkim. Ju kisha lutë, ju kisha lutë mos krijoni tema të paqena, se nuk ekzistojnë. Po bëhemi bashkë të gjithë. Po bëhemi bashkë të gjithë, kjo është momentumi, kjo është rëndësia e madhe e LDK-së. Kur jemi bashkë në një listë, punojmë për LDK-në e më pas edhe ndërtojmë të ardhmen të ardhmen të mirë. Ata që nuk e duan bashkimin, për besë, për besë, ata që nuk e duan bashkimin në LDK, nuk e duan as vetë LDK-në. Thjesht kundër bashkimit, vetvetiu je kundër qëllimeve të vetëekzistencës së LDK-së. Fundja, emri ynë është Lidhje Demokratike, dhe si të tillë po bëhemi bashkë”, tha ai.

Abdixhiku tha se të gjithë do të jenë pjesë e listës së përbashkët të LDK-së dhe paralajmëroi marrëveshje edhe me parti jo-parlamentare.

“Po flas për listë, të gjithë do të jenë pjesë e e listës pwrbashkwt së Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe do të jenë në renditje proporcionale sa i përket numrit të pwrgjithshmw tw anwtarev. Po bëjmë përpjekje, kemi dhe takime të tjera dhe në këtë përpjekjen tonë do të ketë dhe marrëveshje me parti jo-parlamentare, që s’kanë pjesëmarrje parlamentare, për të qenë pjesë e një përbashkimi të djathtë. Na jepni dy-tre ditë kohë”, tha ai./EO