Albena Reshitaj me Vjosa Osmanin

Ish-presidentja Vjosa Osmani ka njoftuar bashkëpunimin me ish-deputeten Albena Reshitaj, e cila pritet të garojë për zgjedhjet e 7 qershorit.

Osmani ka vlerësuar bashkëpunimin shumëvjeçar me Albena Reshitajn, duke e cilësuar atë si një grua parimore dhe të palëkundur në mbrojtje të interesit të Kosovës.

Ajo ka kujtuar se bashkëpunimi mes tyre ka nisur më shumë se një dekadë më parë dhe ka vazhduar përmes sfidave e sukseseve të përbashkëta.

Sipas saj, Reshitaj, ish-ministre dhe deputete në katër mandate, ka dëshmuar vazhdimisht që nuk dorëzohet përballë sfidave apo kërcënimeve kur bëhet fjalë për mbrojtjen e interesit shtetëror.

Presidentja ka theksuar se në vitin 2021, gjatë zgjedhjes së saj presidente, vota e Reshitajt ishte vendimtare për krijimin e kuorumit të nevojshëm, duke bllokuar, siç u shpreh ajo, rolin e Listës Serbe në krijimin e institucioneve.

“Ajo dëshmoi shumë herë e po e dëshmon edhe sot, se politika mund të ndërtohet mbi dinjitet, integritet dhe vizion për Kosovën”, deklaroi Osmani.

Tutje, presidentja ka vlerësuar se Kosova ka nevojë për njerëz që dinë të bashkëpunojnë dhe jo për ata që synojnë përçarjen dhe shkatërrimin e asaj që është ndërtuar me sakrificë.

Osmani ka përmendur edhe prejardhjen familjare të Reshitajt, duke theksuar se ajo është mbesë e Ramë Bllaca dhe se do të vazhdojë të mbrojë kauzat për të cilat janë bërë sakrifica ndër breza.

“Njerëzit tanë kanë mundësinë që edhe njëherë të vlerësojnë parimësinë, guximin, nderin dhe profesionalizmin e Albenës”, përfundoi Osmani. /Zëri