Ministria e Drejtësisë i quan të pavërteta pretendimet e Hykmete Bajramit për konkurset e pozitave të larta

Ministria e Drejtësisë ka reaguar ndaj deklaratave të ish-deputetes së LDK-së, Hykmete Bajrami, duke i cilësuar si të pavërteta dhe tendencioze pretendimet e saj lidhur me shpalljen e pozitave të larta drejtuese në kundërshtim me ligjin.

Sipas Ministrisë, pretendimet nuk qëndrojnë as në aspektin faktik dhe as në atë ligjor dhe paraqesin, siç thuhet në reagim, “përpjekje për të krijuar perceptim të rremë në opinionin publik mbi procese të rregullta dhe të ligjshme”, transmeton Zeri.info.

Në reagim thuhet se procedurat për këto pozita janë iniciuar më 27 prill 2026 përmes kërkesës zyrtare të Ministrisë së Drejtësisë drejtuar Ministrisë së Digjitalizimit dhe Administratës Publike, në kuadër të Planit të Rekrutimit për vitin 2026, në kohën kur Qeveria ushtronte mandatin e plotë.

Tutje, Ministria thekson se publikimi i konkurseve në portalin shtetëror të rekrutimit elektronik më 28 prill dhe afati për aplikim deri më 28 maj janë zhvillime procedurale që burojnë nga kjo kërkesë dhe nuk përbëjnë inicim të ri gjatë periudhës së kufizimeve për Qeverinë në dorëheqje.

Sipas reagimit, interpretimet se është shkelur Neni 31 i Ligjit për Qeverinë janë të qëllimshme dhe të pasakta, duke shtuar se proceset janë zhvilluar në përputhje me Ligjin për Zyrtarët Publikë dhe me procedurat institucionale në fuqi.

Ministria e Drejtësisë ka ritheksuar se të gjitha procedurat janë të hapura, transparente dhe të bazuara në ligj, duke kundërshtuar çdo akuzë për parregullsi në procesin e rekrutimit.

Reagimi i plotë:

Ministria e Drejtësisë i hedh poshtë si të pavërteta dhe tendencioze pretendimet e znj. Hykmete Bajrami, ish-deputete nga radhët e LDK-së, lidhur me shpalljen e pozitave të larta drejtuese në kundërshtim me Ligjin.

Këto pretendime nuk qëndrojnë as në aspektin faktik dhe as në atë ligjor, dhe përbëjnë një përpjekje për të krijuar perceptim të rremë në opinionin publik mbi procese të rregullta dhe të ligjshme.

Procedurat për këto pozita janë iniciuar përmes kërkesës zyrtare të Ministrisë së Drejtësisë për hapjen e tyre, në kuadër të Planit të Rekrutimit për vitin 2026, të përcjellë më 27 prill 2026 në Ministrinë e Digjitalizimit dhe Administratës Publike, në kohën kur Qeveria ushtronte mandatin e saj të plotë dhe para hyrjes në fuqi të kufizimeve për Qeverinë në dorëheqje. Në përputhje me Ligjin Nr. 08/L-197 për Zyrtarët Publikë, organizimi dhe zhvillimi i mëtejmë i procedurave të rekrutimit për pozitat e larta drejtuese realizohet nga ministria përgjegjëse për administratën publike, sipas një kornize të qartë dhe të përcaktuar me ligj.

Ministria e Drejtësisë ka vepruar në përputhje të plotë me këtë kornizë ligjore dhe planifikim institucional. Publikimi i konkurseve në portalin shtetëror për rekrutim elektronik (https://konkursi.rks-gov.net) më 28 prill dhe e drejta për aplikim deri më 28 maj, janë zhvillime procedurale që burojnë drejtpërdrejt nga kjo kërkesë e rregullt dhe e ligjshme dhe nuk përbëjnë në asnjë rast inicim të ri në periudhën e kufizimeve.

Çdo përpjekje për t’i paraqitur këto procese si shkelje të nenit 31 të Ligjit për Qeverinë është interpretim i qëllimshëm dhe i pasaktë i ligjit, që bie ndesh me faktet, kronologjinë zyrtare dhe vetë përmbajtjen e dispozitës ligjore.

Përpjekjet për të ndërtuar narrativa të paligjshmërisë aty ku ka procedura të rregullta dhe të dokumentuara nuk i shërbejnë as transparencës dhe as besimit publik. Përkundrazi, ato përbëjnë instrumentalizim të çështjeve institucionale për qëllime politike ditore.

Kësisoj, Ministria e Drejtësisë përgënjeshtron çdo akuzë të mundshme të ish-deputetes Bajrami, duke ritheksuar se të gjitha këto procedura janë të hapura, transparente dhe të bazuara në ligj, dhe nuk do të lejojë që puna institucionale të vihet në pikëpyetje përmes pretendimeve të pavërteta.