Orët e fundit të afatit, PDK-ja konfirmon pjesëmarrjen në zgjedhje, LVV-ja ende pa njoftim zyrtar e AKR-ja s’do të garojë

Sonte në mesnatë do të përrmbyllet afati për partitë politike për të njoftuar pjesëmarrjen në zgjedhje ose mospjesëmarrjen dhe deklarimin e koalicioneve. 

Që nga hapja e këtij afati më 1 maj dhe deri në mesditën e ditës së enjte të 7 majit, disa nga partitë politike që kanë njoftuar pjesëmarrjen në zgjedhje janë, Partia Demokratike e Kosovws, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, por jo edhe Lëvizja Vetëvendosje. 

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha se deri më tani (e enjte, 7 maj 2026, ora 21:30) KQZ ka pranuar njoftimin për pjesëmarrje në zgjedhje nga 22 parti politike, mospjesëmarrje nga 8 parti politike dhe 2 koalicione, të përbëra nga 5 parti politike. 

“Sot, më 7 maj, në orën 24:00, përfundon afati për partitë politike të regjistruara në Kosovë për ta njoftuar KQZ-në për pjesëmarrje ose mospjesëmarrje në zgjedhje dhe formim të koalicioneve. Këto obligime vlejnë vetëm për 53 partitë politike që aktualisht janë pjesë e regjistrit të partive politike të regjistruara në Republikën e Kosovës. Deri më tani (e enjte, 7 maj 2026, ora 12:00) KQZ ka pranuar njoftimin për pjesëmarrje në zgjedhje nga 22 parti politike, mospjesëmarrje nga 8 parti politike dhe 2 koalicione, të përbëra nga 5 parti politike”, tha Elezi. 

Sipas Elezit, partitë politike që deri në këtë kohë kanë njoftuar pjesëmarrjen në zgjedhje janë: 1. Partia Socialdemokrate; 2. Kosovaki Nevi Romani Partia; 3. Partia Socialdemokrate e Ashkalinjve; 4. Za Slobodu Pravdu i Opstanak; 5. Srpska Lista; 6. Yenilikçi Türk Hareket Partisi; 7. Lidhja Demokratike e Kosovës; 8. Fjala; 9. Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës; 10. Partia Rome e Bashkuar e Kosovës – PREBK; 11. Socialdemokratska Unija; 12. Jedinstvena Goranska Partija; 13. Kosova Demokratik Türk Partisi; 14. Nova Demokratska Stranka; 15. Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës; 16. Kosovski Savez; 17. Partia Balliste; 18. Partia Qytetare për Mirëqenie Sociale; 19. Partia Liberale Egjiptiane; 20. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës; 21. Stranka Demokratske Akcije; dhe 22. Partia Demokratike e Kosovës.

Ndërkaq, sipas tij, partitë politike që deri më tani kanë njoftuar mospjesëmarrjen në zgjedhje janë: 1. Partia Demokratike e Unitetit; 2. Balli Kombëtar i Kosovës; 3. Lëvizja Qytetare Vatra; 4. Bashkimi për Ndryshim Anamorava; 5. Partia e Drejtësisë; 6. Srpski Narodni Pokret; 7. Partia Reforma Demokratike; dhe 8. Aleanca Kosova e Re.

Sipas të dhënave të KQZ-së, 7 ditë nga hapja e afatit për deklarim të koalicioneve, KQZ ka pranuar vetëm njoftimin për formimin e dy koalicioneve. Bëhet fjalë për 1. Demokratska Stranka Bošnjaka dhe Demokratska Stranka Vatan (Koalicija VAKAT); dhe (2). Partia e Ashkalinjëve për Integrim, Partia Demokratike e Ashkanlive të Kosovës dhe Lëvizja për Bashkëveprim (Ashkalitë e Bashkuar). 

Sipas KQZ-së, njoftimi nga partitë politike të regjistruara i pjesëmarrjes ose mospjesëmarrjes në zgjedhje dhe formimi i koaicioneve është një proces tjetër nga aplikimi për certifikim i subjekteve të reja politike dhe dorëzimi i listës së kandidatëve për deputetë. 

Sipas Elezit, afati për aplikim për certifikim të subjekteve të reja politike (koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur), ka filluar më 2 maj dhe do të përfundojë më 10 maj. Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, partia politike konsiderohet automatikisht e certifikuar, andaj ky proces do të vlejë vetëm për subjektet e reja politike, që në këtë rast janë koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur. 

Ndërkaq, po sipas tij, dorëzimi i listës së kandidatëve për deputetë nga subjektet politike (partitë politike, koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur) ka filluar më 2 maj dhe do të përfundojë më 12 maj 2026. /eo